Do të luhet sot në mbrëmje në stadiumin e kryeqytetit francez “Parc de Princes” akti i dytë i gjysmëfinaleve të Champions League. Në fakt, bëhet fjalë për një nga sfidat e dy skuadrave që mbahen si të veçanta në futbollin modern.
Kampionia e Francës, Paris Saint Germain do të presë në shtëpinë e saj Manchester City-n, në atë që mund të quhet edhe si përballja e “sheikëve” apo e të pasurve të futbollit europian.
Të dyja skuadrat janë në pronësi të sheikëve dhe në harkun e pak viteve janë futur në mesin e skuadrave më të mira në planet, duke dominuar futbollin në vendet e tyre.
Për herë të parë gjatë këtyre viteve fati i përball me njëri-tjetrin për të matur fuqinë e tyre. PSG është kuotuar tashmë si një nga kandidatet kryesore për fitimin e trofeut, pasi hoqi qafe Bayern Munich, duke treguar një formë të shkëlqyer së fundmi.
Të martën në mbrëmje në Madrid u luajt ndeshja e parë e gjysmëfinaleve të turneut më të rëndësishëm për klube në Europë. Real Madrid dhe Chelsea u ndanë në barazim 1-1, me anglezët që shkojnë të favorizuar në ndeshjen e kthimit për shkak të golit të shënuar në fushë kundërshtare.
E teksa pritet ky duel i parë gjysmëfinal mes këtyre skuadrave në Champions League, mediet e huaja kanë zbuluar edhe formacionet e mundshme.