35 vatra zjarri në 24 orë, pesë ende aktive/ Evakuohet familja në Pukë, shpëton banesa

Situata e zjarreve në vend vijon të mbajë të angazhuara qindra forca në terren. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat pesë mbeten aktive dhe tre po mbahen nën kontroll.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë ndërhyrë me 90 efektivë, ndërsa nga ajri operacionet janë mbështetur nga tre helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive ndodhen në Dajt, Mirditë, Pukë, Malësi të Madhe dhe Gramsh.
Në Dajt vijon puna për shuarjen e flakëve, me operacionin që sot mbështetet edhe nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Ministria bën me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatra në Priskë është vendosur nën kontroll.
Në Lufaj të Mirditës, zjarri vijon të jetë aktiv, por me intensitet të ulët. Forcat operacionale po punojnë për shuarjen e tij dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Situata më problematike është regjistruar në zonën Tërbun–Gjegjan–Gojan të Pukës. Në sipërfaqet pyjore të Tërbunit gjendja është përmirësuar, por vatrat në Gjegjan dhe Gojan mbeten aktive. Gjatë operacionit është dashur të evakuohet një familje, ndërsa ndërhyrja e forcave ka shmangur rrezikun që flakët të përfshinin banesën. Operacioni vijon sot me 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.
Në Gjorm të Sipërm, në Malësinë e Madhe, vijon puna për shuarjen e një vatre të riaktivizuar, ku janë angazhuar dy automjete zjarrfikëse dhe gjashtë efektivë të MZSH-së.
Edhe në Tunjë të Re të Gramshit forcat ndodhen në terren për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, Gurë-Lura mbetet nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë Helmes vijon puna e forcave operacionale, pa rrezik për banorët.