Skip to content
Kryesore

Lara Colturi shkëlqen në Finlandë, e dyta në garë dhe e para në Kupën e Botës!

· 2 min lexim

Shqipëria vijon sukseset sportive në Finlandë. Pas paraqitjes së Kombëtares së futbollit pak ditë më parë, këtë herë është skiatorja kuqezi Lara Colturi që ka shkëlqyer në pistat e Kupës së Botës, duke u ngjitur në krye të renditjes së përgjithshme.

Colturi siguroi vendin e dytë në garën e zhvilluar sot, më 14 nëntor, duke regjistruar kohën totale 1 minutë e 53.05 sekonda, vetëm 0.43 sekonda pas fitueses, gjermanes Emma Aicher.

Në vendin e tretë u rendit austriakja Katharina Truppe, me kohën 1:53.12.

Falë këtij rezultati, skiatorja që përfaqëson Shqipërinë fitoi 80 pikë, duke arritur në 160 pikë në klasifikimin e përgjithshëm të Kupës së Botës, ku ndan vendin e parë me Emma Aicher.

Rezultatet e garës në Finlandë

Emma Aicher (Gjermani) – 1:52.62

Lara Colturi (Shqipëri) – 1:53.05

Katharina Truppe (Austri) – 1:53.12


Renditja e përgjithshme e Kupës së Botës

Lara Colturi (Shqipëri) – 160 pikë

Emma Aicher (Gjermani) – 160 pikë

Paula Moltzan (SHBA) – 100 pikë

Ky rezultat shënon një tjetër arritje të rëndësishme për Lara Colturin dhe sportin shqiptar. Skiatorja kuqezi konfirmon formën e saj të shkëlqyer në arenën ndërkombëtare, duke konkurruar për kreun e Kupës së Botës përballë emrave më të fortë të skive alpine.

Nga fushat e futbollit te pistat e dëborës, flamuri shqiptar vazhdon të jetë protagonist në Finlandë.