Ashtu sikurse kishte paralajmëruar më 31 tetor, pas disfatës së thellë të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) në zgjedhjet lokale, kryeministri i Maqedonisë ka dhënë dorëheqjen.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot dorëheqjen e Zaev, pa debate.
“Dëshiroj të jap shembull për të njohur vendimet e virtytshme kur është e nevojshme dhe për të dhënë një kontribut tjetër në forcimin e kapaciteteve demokratike të popullit, por edhe liderëve të ardhshëm që të jenë të vetëdijshëm për detyrën e tyre qytetare kur kujdesen për vendin e tyre”, ka shkruar Zaev në arsyetimin e aktit të dorëheqjes.
Ndërkohë pas konstatimit të dorëheqjes, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka njoftuar presidentin, Stevo Pendarovski, i cili në afat prej dhjetë ditëve duhet të caktojë mandatarin e ri për kryeministër të Maqedonisë së Veriut. Ai do të jetë, Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Social -Demokrate, pasi paraprakisht ka njoftuar se ka shumicën parlamentare në Kuvend.
Pjesë e Qeverisë së re, përveç LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, do të jetë edhe partia Alternativa, e cila zëvendëson Lëvizjen Besa, që pas zgjedhjeve lokale u largua nga Qeveria.
Shumica e re parlamentare ka 64 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Mandatari, sipas kushtetutës, brenda 20 ditëve duhet të dorëzojë për miratim në Kuvend përbërjen e re qeveritare, e cila votohet me 61 vota të deputetëve.
Qeveria e re, bazuar në afatet kushtetuese, duhet të zgjidhet më së voni deri nga mesi i muajit janar të vitit 2022.