Skip to content
Uncategorized

VIDEO/ Donnarumma është tashmë në zyrat e PSG, çdo gjë gati për marrëveshjen

· 2 min lexim

Gianluigi Donnarumma ka mbërritur tashmë në Francë dhe është në zyrat e Paris Saint German për të nënshkruar një marrëveshje me klubin e kryeqytetit. Portieri italian i dha lamtumirën Milanit përmes një letre emocionuese të publikuar në rrjetet sociale të martën. Futbollisti nuk ka humbur aspak kohë dhe pasditen e sotme është parë në zyrat e ekipit parizien, ku do të zyrtarizohet si blerja më e re së shpejti.

Ka qenë vetë trajneri i PSG, Maurucio Pochettino që ka mbërritur po ashtu te zyrat për ta pritur personalisht. Ashtu siç pritet, Gigi do të zërë vendin e Keylor Navas si portier i parë në klub.

Donnarumma arrin te PSG pas një Kampionati Europian të shkëlqyer ku u shpall edhe lojtari i turneut. Ai arriti të priste dy penallti në finale, duke i dhuruar Italisë titullin kampion.

Por largimi i Donnarumma-s nga Milani nuk është pritur aspak mirë nga tifozët të cilët e kanë cilësuar si tradhëti ndaj klubit ku filloi karrierën e tij dhe u bë një nga portierët më të mirë në botë. Në letrën e lamtumirës ai shpjegoi se tashmë kishte ardhur koha për t’u larguar dhe për t’u rritur profesionalisht.

Me blerjet e reja, mbetet për t’u parë nëse PSG do ia dalë sezonin tjetër të fitojë Champions League pas humbjes ndaj Chelsea në finalen e fundit. Sergio Ramos dhe Achraf Hakimi i janë bashkuar gjithashtu klubit.