Skip to content
Kryesore

Veliaj vijon emërimet nga qelia, vendos Halit Valterin në krye të IMT-së së Tiranës

· 2 min lexim
Erion Veliaj vijon të marrë vendime për drejtimin e administratës bashkiake, pavarësisht se ndodhet në burg. Këtë herë, ai ka emëruar ish-deputetin Halit Valteri në krye të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), një prej strukturave më të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës.

Valteri merr drejtimin e institucionit përgjegjës për kontrollin e ndërtimeve, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në territor, evidentimin e ndërtimeve të paligjshme dhe lirimin e hapësirave publike në kryeqytet.

Emërimi vjen vetëm gjashtë ditë pas shkarkimit të Rigers Sheqerit, i cili u largua nga posti i kryeinspektorit më 21 nëntor 2026.

Por ky nuk është vendimi i vetëm që Veliaj ka marrë nga qelia. Javën e kaluar, kryebashkiaku shkarkoi edhe Zhaneta Beqirin nga drejtimi i kopshteve dhe çerdheve të Tiranës, duke emëruar në vend të saj Arjola Byzykën.

Kështu, brenda pak ditësh, Veliaj ka ndërhyrë në drejtimin e dy strukturave të rëndësishme bashkiake, ndërkohë që vazhdon të qëndrojë pas hekurave.

Lëvizjet e fundit rikthejnë në vëmendje situatën e pazakontë në Bashkinë e Tiranës, ku kryebashkiaku vazhdon të ushtrojë kompetencat e tij administrative nga paraburgimi, duke vendosur për shkarkimin dhe emërimin e drejtuesve të institucioneve që administrojnë shërbime dhe ushtrojnë kontroll mbi territorin e kryeqytetit.