Agron Shehaj akuza Taulant Ballës: Ylli Ujka financoi PS-në në diasporë dhe mori leje për tre kulla, “Bashkë e keni Philipp Plein, ti s’ke punuar një ditë në jetë, i ke pasuritë e fshehura”

Një debat i ashpër është zhvilluar në Kuvend mes kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në qendër të përplasjes kanë qenë akuzat për pasuri të fshehura, financime politike, leje ndërtimi dhe lidhje të dyshuara mes pushtetit dhe biznesit.
Shehaj akuzoi Ballën se është pasuruar pa punuar, duke pretenduar se zotëron një apartament prej 500 metrash katrorë në një kullë në Tiranë.
“Flet Taulanti për pasuritë e mia. Si ia bën atje te kulla e madhe? Ti, Taulant, kur del te kulla, ku ke apartamentin tënd 500 metra katrorë, sheh Tiranën dhe të duket vetja mbret. Me punë bëhet pasuria dhe jo me vjedhje. Kompanitë e mia kanë fitim 200 mln euro në vit, Taulant. Ti s’ke punuar një ditë në jetë, i ke pasuritë e fshehura”, u shpreh ai.
Shehaj përmendi konkretisht biznesmenin Ylli Ujka, të cilin e akuzoi se ka financuar fushatën e Partisë Socialiste në diasporë dhe turin e Taulant Ballës në Europë, duke përfituar më pas leje për ndërtimin e tre kullave.
Në akuzat e tij, kreu i Partisë Mundësia përfshiu edhe stilistin gjerman Philipp Plein, duke ngritur pretendime për lidhje biznesi me Ballën dhe duke e cilësuar Ujkajn si një person që vepron në emër të interesave të të tjerëve.
“Ky zotëria këtu, Ylli Ujka, është ai që ka paguar tour-in e Taulant Ballës nëpër Europë. Të ka financuar ky. Se ti ke vjedhur pafund, por dorën në xhep nuk e fut. Ka financuar fushatën e PS-së në Europë, e ka thënë BIRN këtë, s’e them unë, me prova, pasi i shërbeu partisë në pushtet, i dha para partisë në pushtet, mori një leje, apo tre leje, për tre kulla. Ky është një prestanome. Hiqet si oligark i madh. Nuk e quaj dot oligark. Ky është askushi, e merrni siç keni bërë rëndom. Ju jep ca para ai, pastaj ju e bëni ortak në aferat tuaja. Bashkë e keni Philipp Plein, Taulant, e ke parasysh, kullën e madhe?
Kjo është padi, Taulant, kjo është serioze. Jo si ato të tuat që janë për t’i shpërndarë në mediat e tua. Për këtë do japësh llogari.”
Shehaj akuzoi më tej Ballën, kryeministrin Rama, biznesmenët dhe mediat për një përpjekje të koordinuar për ta goditur përmes kallëzimeve penale. Ai paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime ligjore edhe jashtë Shqipërisë.
“Kanë marrë këtë zotërinë këtu (Ujkan), kanë marrë ortakun e këtij zotërisë këtu (Plein), e kanë çuar në Prokurori për një kallëzim penal kundër Agron Shehajt. Kjo është loja. E kuptoni çfarë bëjnë? Duan të më mbyllin gojën me hajdutët e tyre. Bëhen tufë, bëhet banda bashkë. Edi Rama, Taulant Balla, ky gjoja biznesmeni, mediat bashkë dhe shpërndajnë lajmin ‘Kallëzim penal’. 300 mijë euro, erdhi italiani. Po ai është një fukara i shkreti, që po e merrni në qafë. Se dhe ai do mbajë përgjegjësi për çfarë bën. Se unë nuk e bëj padinë këtu. Unë do e bëj atje ku e ka bërë, ku jeton.”
Nga ana tjetër, Taulant Balla hodhi poshtë akuzat e Shehajt, duke deklaruar se gjatë karrierës së tij politike ka bërë 173 kallëzime me emrin e tij.
“Paditë unë i bëj me emrin tim. Sali Berishën unë e kam kallëzuar me emrin tim. 173 kallëzime kam bërë në gjithë këto vite në politikë, jo me emra falsë. Nuk kam frikë unë, o Agron, këtë gjë ta dish”, tha Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së mohoi gjithashtu se zotëron një apartament prej 500 metrash katrorë në një kullë në Tiranë, duke deklaruar se do të largohej nga detyra nëse ky pretendim do të rezultonte i vërtetë.