Skip to content
Bota

Absurdi në Afganistan/ Grave u hiqet edhe emri, të gjitha do të quhen “Bibi”

· 2 min lexim

Pas mohimit të së drejtës për t’u arsimuar, për të punuar, për të folur dhe për të lëvizur lirisht, regjimi taleban në Afganistan po u mohon grave edhe një nga elementet më themelore të identitetit njerëzor: emrin e tyre.

Në provincën Balkh, në veri të Afganistanit, autoritetet talebane kanë urdhëruar që emrat e grave të mos përdoren më në dokumentacionin administrativ dhe shëndetësor. Në vend të tyre, gratë do të identifikohen me një emërtim të përbashkët: “Bibi”, që tradicionalisht nënkupton “gjyshe” ose “grua e moshuar”.

Absurditeti shkon deri aty sa edhe në kartelat mjekësore dhe recetat e pacienteve nuk do të figurojë emri i tyre i vërtetë.

Masa jo vetëm që fshin identitetin individual të grave, por rrezikon edhe jetën e tyre, pasi përdorimi i të njëjtit emër për paciente të ndryshme mund të shkaktojë gabime serioze mjekësore.

Aktivistja afgane për të drejtat e grave, Lalah Osmany, ka denoncuar edhe raste kur gratë janë identifikuar me emërtime fyese dhe çnjerëzore, si “dhi” apo “lopë”.

Që prej rikthimit të talebanëve në pushtet në gusht të vitit 2021, janë nxjerrë mbi 144 dekrete që kufizojnë të drejtat e grave. Ato janë përjashtuar nga shumica e profesioneve, vajzave u ndalohet arsimimi pas moshës 12-vjeçare, ndërsa pjesëmarrja e grave në jetën publike është kufizuar në mënyrë drastike.

Në vitin 2017, Osmany nisi fushatën “Ku është emri im?”, duke luftuar për të drejtën e grave që emrat e tyre të figuronin në dokumentet zyrtare. Në vitin 2020, fushata arriti të siguronte përfshirjen vullnetare të emrave të nënave në certifikatat e lindjes së fëmijëve.

Sot, edhe ky përparim rrezikon të zhduket, ndërsa aktivistët druhen se masa mund të shtrihet në të gjithë Afganistanin.

Pas viteve të tëra të përjashtimit sistematik të grave nga jeta publike, regjimi taleban po shkon drejt fshirjes së vetë identitetit të tyre. Grave nuk po u mohohet më vetëm e drejta për të vendosur se si të jetojnë, por edhe e drejta për t’u identifikuar me emrin e tyre.