Skip to content
Kryesore

Vdekja e bashkëshortes së Alban Hoxhës pas lindjes/ Gjykata e Lartë rrëzon rekursin, lë në fuqi dënimin për dy mjekët

· 5 min lexim

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e dy mjekëve Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, duke lënë në fuqi dënimin e tyre për “mjekim të pakujdesshëm” në rastin e vdekjes së Dorjana Hakës, ish-bashkëshortes së ish-portierit Alban Hoxha.

Vendimi i jep fund betejës së gjatë gjyqësore për ngjarjen e vitit 2014, kur 25-vjeçarja humbi jetën vetëm pak ditë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë.

Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit të mjekëve dhe la të pandryshuar vendimin e Apelit. Elona Burba është dënuar me 1 vit burgim, dënim që iu konvertua në 2 vite shërbim prove, ndërsa asaj iu hoq edhe e drejta për të ushtruar profesionin e mjekut për një periudhë dyvjeçare.

Petrit Rexhepi është dënuar me 6 muaj burgim, masë e konvertuar në 1 vit shërbim prove.

Në qendër të çështjes kanë qenë ekzaminimet që duhej t’i kryheshin pacientes përpara ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas arsyetimit të gjykatës, mjekët nuk kryen ekzaminimet e nevojshme dhe kjo lidhet me pasojën fatale për pacienten.

Një nga elementet kryesore të evidentuara gjatë procesit ishte moskryerja e testeve të koagulimit INR dhe APTT përpara operacionit. Sipas arsyetimit të Apelit, këto analiza kërkoheshin nga protokolli mjekësor dhe shërbenin edhe për të vlerësuar nëse pacientes duhej t’i jepej trajtim antikoagulant.

Gjykata ka marrë në konsideratë edhe faktin se ndërhyrja cezariane ishte e planifikuar dhe jo një operacion urgjent. Për rrjedhojë, sipas vendimit, mjekët kishin kohën e nevojshme për t’u siguruar që pacientes t’i kryheshin ekzaminimet e kërkuara përpara ndërhyrjes.

Gjykata e Lartë vlerësoi se Apeli kishte analizuar provat dhe pretendimet e palëve dhe se përfundimet e tij lidhur me përgjegjësinë penale të dy mjekëve ishin të mbështetura në provat e administruara gjatë procesit.

Çfarë ndodhi me Dorjana Hakën?

Ngjarja që çoi në procesin e gjatë gjyqësor daton në nëntor të vitit 2014.

Dorjana Haka, 25 vjeçe, u shtrua më 4 nëntor në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë për të sjellë në jetë fëmijën e saj të parë. Ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje cezariane dhe solli në jetë djalin e saj.

Pas lindjes, megjithatë, gjendja shëndetësore e 25-vjeçares u përkeqësua rëndë. Dorjana Haka ndërroi jetë më 19 nëntor 2014, rreth dy javë pasi ishte bërë nënë.

Familja ngriti dyshime për mënyrën se si ishte trajtuar në spital dhe babai i saj, Enver Haka, iu drejtua Prokurorisë. Më 24 dhjetor 2014 u regjistrua procedimi penal për veprën “mjekim i pakujdesshëm”.

Hetimet u përqendruan te përgatitja e pacientes për ndërhyrjen, analizat që i ishin kryer, ato që mungonin dhe trajtimi i saj gjatë periudhës pas lindjes.

Një ekspertizë e Institutit të Mjekësisë Ligjore, e bërë publike në vitin 2015, evidentonte 12 shkelje në trajtimin mjekësor të Dorjana Hakës. Në dokumentacionin e referuar gjatë procesit rezultonte gjithashtu se e reja kishte një histori të mëparshme mjekësore që përfshinte probleme të lidhura me zemrën.

Në proces u evidentua veçanërisht mungesa e testeve të koagulimit INR dhe APTT përpara ndërhyrjes. Ekspertët konstatuan gjithashtu se dhënia e antikoagulantit pas operacionit ishte bërë me vonesë.

Sipas dokumentacionit dhe ekspertizave të shqyrtuara në gjykim, gjendja e Dorjanës u komplikua nga tromboza cerebrale. Si shkak i vdekjes u përcaktua arresti kardiak i induktuar nga tromboza e venave cerebrale dhe edema e trurit.

Mbrojtja e mjekëve i kundërshtoi akuzat dhe përfundimet e ekspertizave gjatë procesit. Ndër të tjera, u argumentua se ndaj Dorjana Hakës nuk ishte kryer autopsi dhe se, për këtë arsye, nuk mund të përcaktohej me siguri lidhja shkakësore mes veprimeve të mjekëve dhe vdekjes.

Gjykata e Apelit nuk e pranoi këtë argument, duke vlerësuar se dokumentacioni mjekësor, ekspertizat dhe provat e tjera të administruara ishin të mjaftueshme për të përcaktuar përgjegjësinë penale.

Procesi gjyqësor ka kaluar në disa faza. Në dhjetor 2016, Gjykata e Tiranës i shpalli fajtorë Elona Burbën dhe Petrit Rexhepin për “mjekim të pakujdesshëm”, duke i dënuar fillimisht me nga 400 mijë lekë gjobë. Prokuroria kishte kërkuar nga 5 vite burg dhe heqjen për pesë vite të së drejtës për ushtrimin e profesionit.

Vendimi i parë shkaktoi reagimin e familjarëve të Dorjana Hakës, të cilët kundërshtuan masën e dënimit dhe kërkuan vazhdimin e betejës gjyqësore.

Çështja kaloi më pas në Apel, ku dënimet ndryshuan: Burba u dënua me 1 vit burg, të konvertuar në 2 vite shërbim prove, si dhe me heqjen e së drejtës për ushtrimin e profesionit për dy vite, ndërsa Rexhepi mori 6 muaj burg, të konvertuar në 1 vit shërbim prove.

Dy mjekët iu drejtuan Gjykatës së Lartë, por pas një procesi që ka zgjatur për afro 12 vite nga ngjarja, rekursi i tyre nuk është pranuar.

Në fuqi mbetet kështu vendimi i Apelit dhe dënimi i Elona Burbës dhe Petrit Rexhepit për “mjekim të pakujdesshëm” në rastin e vdekjes së Dorjana Hakës.