Si ҫdo ditë, edhe sot protesta e studentëve ka vijuar për të njëjtat qëllime, për plotësimin e tetë kërkesave. Ata u mblodhën përsëri pranë fakulteteve të tyre për të marshuar më pas drejt godinës së kryeministrisë. Kushtet e këqija të motit në paraditen e sotme, nuk i kanë penguar studentët të vazhdojnë të protestojnë.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale dhe deklaratave në media vazhdon të kërkojë dialog, ndërsa nga ana tjetër janë studentët të cilët gjithashtu janë të vendosur që nuk do bëhet dialog pa u plotësuar kërkesat e tyre.
Studentët shprehen se janë shumë të lodhur sepse kushtet e tyre janë gjëra bazike që nuk kanë nevojë të diskutohen por duhet menjëherë plotësim kërkesash. Gjithashtu ata shprehen se Rama bën provokime me mesazhet që përcjell si në rrjete sociale ashtu edhe në media.
Ata i kanë dhënë një ultimatum kryeministrit deri nesër dhe i kërkojnë që ai të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar kërkesat e tyre dhe nëse ai nuk e bën këtë gjë, protesta do kthehet në protestë kombëtare.
“Thërrisni deputetët. Të flitet aty për ne. Jemi të vendosur, nuk na përçan dot. Nëse deri në orën 16 nuk thërrisni parlamentin në shesh nuk do jenë vetëm studentët. Do bëjmë protestë kombëtare”, shprehen protestuesit.