U vunë në pranga pas protestës, Gjykata liron 14 protestuesit: Arrestimet ishin të paligjshme

Vetëm pak ditë pasi u vunë në pranga pas përplasjeve me policinë në protestën e 1 shtatorit para Kryeministrisë, 14 protestuesit kanë rifituar lirinë. Gjykata e Tiranës ka konstatuar se arrestimet ishin të paligjshme dhe ka vendosur lirimin e tyre.
Protestuesit u arrestuan mbrëmjen e 1 shtatorit, pasi qytetarët rrethuan godinën e Kryeministrisë, në një kohë kur kryeministri Edi Rama ndodhej brenda zyrës së tij.
Policia i vuri në pranga nën dyshimin për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Por në sallën e gjyqit, protestuesit kundërshtuan arrestimet dhe akuzat e ngritura ndaj tyre. Ata kërkuan që arrestimi të shpallej i paligjshëm dhe që të liheshin të lirë pa asnjë masë sigurie, duke këmbëngulur se nuk kishin kryer vepra penale.
Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën për paligjshmërinë e arrestimeve dhe 14 protestuesit dolën të lirë.
Pas vendimit, avokatja Eda Grimci paralajmëroi se çështja nuk do të mbyllet me lirimin e tyre, por do të pasohet edhe me kallëzime penale.
“Nuk është hera e parë që Gjykata e Apelit konstaton arrestime të paligjshme. Dy raste prej meje do bëjmë kallëzim penal”, u shpreh avokatja Eda Grimci.