Drejtori i Komunikimit në qeverinë turke Fahrettin Altun ka deklaruar se pretendimet e Armenisë se Turqia rrëzoi një avion luftarak SU-25 që i përkiste ushtrisë së saj janë të pavërteta.
“Pretendimi se Turqia rrëzoi një avion luftarak armen është absolutisht i pavërtetë. Armenia duhet të tërhiqet nga territoret nën okupimin e saj në vend që të përdorë mashtrime të tilla propagandistike,” tha Altun gjatë një komunikimi për median.
Ndërkohë në një komunikim për mediat Ministria e Mbrojtjes së Armenisë tha se një aeroplan luftarak turk duke u ngritur nga provinca Ganja e Azerbajxhanit rrëzoi një aeroplan luftarak SU-25 mbi territorin armen.
Kujtojmë se gjithë lufta tashmë po zhvillohet në territorin Nagorno-Karabakh mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, dhe prej tre ditësh janë vrarë 100 persona, prej të cilëve ushtarë e civilë.
Nagorno-Karabakh është një rajon në Azerbajxhan, por me shumicë etnike armene. Lufta ka filluar prej 13 shkurtit të 1988 teksa vazhdimisht janë bërë përpjekje që rajoni të kalojë nën administrimin e Armenisë. Pavarësisht armëpushimeve, situata eskalon me të njëjtat pretendime nga popullsia etnike armene në Nagorno-Karabakh.
Por tashmë mund të ketë një tjetër luftë, Turqi- Armeni, e cila nuk është e re, pasi i ka rrënjët që me gjenocidin ndaj armenëve nga Perandoria Osmane në vitet 1914-1923, të një popullsie prej 1,5 milionë banorësh, dhe deri në 3 mujorshin shtator-dhjetor 1920 kur u vendos dhe përfundimisht kufiri ‘modern’ mes Turqisë e Armenisë.