Studentët shqiptarë po zgjedhin gjithnjë e më shumë universitetet jashtë vendit, me një ritëm më të lartë se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e raportit të UNESCO-s për arsimin tregojnë se kjo prirje lidhet me emigracionin, rënien e popullsisë në moshë shkollore dhe kërkimin e mundësive më të mira ndërkombëtare.
Sipas raportit, Shqipëria ka një përqindje shumë të lartë studentësh që ndjekin studimet jashtë vendit, ndërsa kjo tendencë është përshpejtuar vitet e fundit. “Numri i studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë është rritur më shpejt se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në analizën për Shqipërinë.
Ky zhvillim ecën paralelisht me rënien e numrit të maturantëve, një fenomen i lidhur drejtpërdrejt me emigracionin dhe tkurrjen e popullsisë në moshë shkollore.
Raporti vëren se arsimi i lartë, brenda apo jashtë vendit, është kthyer në një nga arsyet kryesore që i mban të rinjtë më gjatë në sistemin arsimor. Ndryshe nga vitet ’90, kur emigracioni shqiptar dominohej nga punëtorët e pakualifikuar, sot gjithnjë e më shumë të rinj largohen për studime dhe mundësi profesionale.
Sipas UNESCO-s, rreth 50% e popullsisë shqiptare ka pasur një përvojë emigracioni që nga viti 1991, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre janë me arsim të lartë.
Ndërkohë, arsimi i lartë në vend ka ndryshuar ndjeshëm pas hyrjes në procesin e Bolonjës në vitin 2003. Nga viti 2003 deri në 2013, numri i studentëve u rrit mesatarisht me 13% në vit, ndërsa norma bruto e regjistrimit shkoi nga 16% në 64%, duke arritur rreth 82% në vitin 2024.
Raporti thekson gjithashtu se sistemi parauniversitar është bërë më pak pengues për vazhdimin e studimeve. Provimet kombëtare nuk përdoren për përzgjedhje në shkollat e mesme dhe shumica dërrmuese e nxënësve i kalojnë ato. Në vitin 2017, kalueshmëria në provimin përfundimtar të arsimit të mesëm ishte rreth 95%.







