Skip to content
Të Gjitha

Shembja e Teatrit Kombëtar, SPAK merr në pyetje Hervin Çulin

· 2 min lexim

Paraditen e sotme, SPAK ka marrë në pyetje Drejtorin e Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, si pjesë e hetimit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Bëhet me dije se Çuli u thirr për të dëshmuar në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen.  Vlen të theksojmë se Çuli është paraqitur në SPAK që në orën 9 dhe ka qëndruar për më shumë se 2 orë në Prokurori.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke kryer hetime për shpërdorim detyre gjatë procesit të miratimit të vendimit dhe ekzekutimit të tij duke e finalizuar me prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar mëngjesin e 17 majit 2020.

Hetimi nisi pas kallëzimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të bërë më 31 dhjetor 2019 dhe 23 janar 2020.  Kallëzimi i bërë nga Partia Demokratike në lidhje me këtë çështje i është bashkuar këtij procedimi penal.

Kujtojmë që mëngjesin e 17 majit 2020 dy ndërtesat e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental u shkatërruan plotësisht, pas një rezistence mbi dy vjeçare për ruajtjen e tyre.  Qytetarë dhe artistë të cilët protestuan kundër shembjes së Teatrit Kombëtar e konsiderojnë këtë veprim të qeverisë dhe bashkisë së Tiranës si fillimin e instalimit të një diktature. Ata e dënuan aktin e shembjes si shkatërrim të trashëgimisë kulturore e historike.