Skip to content
Kryesore

Sazani dhe Zvërneci në fokus të mediave ndërkombëtare, SPAK refuzon të japë detaje

· 3 min lexim

Projektet luksoze në Sazan dhe Zvërnec, si dhe hetimet mbi transaksionet e pronave në bregdetin shqiptar, kanë tërhequr vëmendjen e mediave të rëndësishme ndërkombëtare. The Atlantic, Le Monde, Channel 5 News dhe Le Figaro i janë drejtuar Prokurorisë së Posaçme me kërkesa për informacion, dokumente dhe intervista, por SPAK ka refuzuar të japë detaje të mëtejshme, duke iu referuar sekretit hetimor.

Revista amerikane The Atlantic ka bërë të ditur se po përgatit një artikull mbi projektet luksoze të planifikuara në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit. Gazetari i revistës ka kërkuar një intervistë me një prokuror të SPAK për të diskutuar mbi punën e institucionit, prioritetet dhe përpjekjet për luftimin e korrupsionit në Shqipëri.

Prokuroria e Posaçme nuk e ka pranuar kërkesën, duke argumentuar se ngarkesa aktuale dhe angazhimet institucionale nuk mundësojnë zhvillimin e një interviste.

Interes për hetimet ka shfaqur edhe gazeta franceze Le Monde, e cila ka kërkuar një takim me prokurorin përgjegjës për hetimin e pronave në zonën e Zvërnecit. SPAK është përgjigjur se çështja ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake dhe se, në bazë të neneve 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore dhe rezultatet e tyre përbëjnë sekret hetimor.

“Përveç informacionit që është publikuar në njoftimin për shtyp, SPAK nuk ka asgjë tjetër për të shtuar në këtë fazë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndërkohë, televizioni britanik Channel 5 News ka kërkuar zyrtarisht një kopje të redaktuar të aktakuzës prej 200 faqesh, si dhe vendimet për sekuestrimin e pasurive të nxjerra në qershor të vitit 2026, në lidhje me shtetasin A.Sh.

Televizioni britanik ka specifikuar se kërkon dokumente të anonimizuara, të cilat mund të bëhen publike në përputhje me ligjin shqiptar për të drejtën e informimit, duke respektuar kufizimet e sekretit hetimor. Edhe në këtë rast, SPAK ka refuzuar të japë informacion shtesë, duke argumentuar se hetimet ndodhen në fazën paraprake.

Kërkesave për informacion u është bashkuar edhe gazeta franceze Le Figaro, e cila ka kërkuar të mësojë nëse ka zhvillime të reja në hetimet mbi transaksionet e tokave në Zvërnec dhe nëse Prokuroria mund të bëjë publike informacione të tjera.

Pavarësisht interesit të katër mediave ndërkombëtare, SPAK nuk ka bërë publike asnjë detaj të ri mbi ecurinë e hetimeve. Institucioni vijon t’u referohet informacioneve të publikuara në njoftimin për shtyp të 12 qershorit 2026, më shumë se pesë muaj më parë.