Repro Uncensored e çon në Bruksel çështjen e censurës online në Shqipëri

Puna e Repro Uncensored për dokumentimin e kufizimit të zërave shqiptarë në platformat sociale po merr tashmë përmasa europiane. Pas investigimit të organizatës dhe angazhimit me eurodeputetë, më shumë se 30 anëtarë të Parlamentit Europian i kanë kërkuar Komisionit Europian të shqyrtojë shqetësimet për censurë të koordinuar ndaj aktivistëve, gazetarëve, zërave politikë dhe mediave shqiptare.
Sipas Repro Uncensored, Komisioni Europian ka konfirmuar se hetimi ndaj Meta-s dhe shqetësimet për “shadow banning” të zërave politikë vazhdojnë ende.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Repro Uncensored u angazhua edhe me një tjetër rast të rëndë në Shqipëri: rreth 200 llogari të bllokuara në rrjetet sociale në kulmin e protestës, një situatë që ngriti dyshime serioze për kufizimin e zërave dhe përmbajtjeve që lidhen me të. Organizata u përfshi drejtpërdrejt në përpjekjet për rikthimin e këtyre llogarive, duke liruar shumicën e tyre.
Tani, brenda pak ditësh, çështja po kalon nga rastet konkrete në Shqipëri në një debat që po kërkon përgjigje edhe në Bruksel.
Më shumë se 30 eurodeputetë i janë drejtuar Komisionit Europian për të kërkuar shqyrtimin e mënyrës se si platformat trajtojnë zërat politikë, aktivistët, gazetarët dhe mediat shqiptare.
Edhe pse Akti për Shërbimet Digjitale, DSA, zbatohet brenda Bashkimit Europian, Repro Uncensored thekson se ajo që po ndodh në Shqipëri nuk mund të ndahet nga konteksti europian. Shqipëria është vend kandidat dhe ndodhet në negociata për anëtarësim, ku liria e medias, të drejtat themelore dhe standardet demokratike janë pjesë thelbësore e procesit.
Shqetësimi i ngritur nuk lidhet vetëm me mbylljen e profileve. Nëse mekanizmat e platformave mund të manipulohen ose të përdoren për të kufizuar në mënyrë të koordinuar shtrirjen e gazetarëve, aktivistëve apo zërave politikë, atëherë problemi prek drejtpërdrejt lirinë e shprehjes dhe debatin publik.
Repro Uncensored i ka kërkuar Komisionit Europian që t’i bëjë publike gjetjet e tij, duke kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga platformat.
Brenda vetëm pak ditësh, nga angazhimi për rikthimin e rreth 200 llogarive të bllokuara në Shqipëri te përfshirja e më shumë se 30 eurodeputetëve, Repro Uncensored po arrin ta çojë çështjen e censurës online nga denoncimet konkrete në vëmendjen e institucioneve europiane.