Studentët nuk kanë ndërmend të dorëzohen dhe këtë gjë e lajmërojnë në çdo rast që mund të kenë.
Së fundmi një grup studentësh janë shprehur për News24, në emisionin e gazetarit Adi Krasta rreth të ardhmes së protestës, pasi sipas Krastës kjo mund të ketë mbetur një protestë e teknaliteteve dhe jo protestë e mirëfilltë politike. Duke ju përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarit, studentët kanë reaguar sipas këndvështrimit të tyre, nga ku Jurgen Zmijanit, student në Universitetin e Mjekësisë, ka thënë se: “Studentët nuk janë ngritur për problematikat e brendshme organike të institucioneve të larta të arsimit. Studentët janë ngritur dhe kanë drejtuar vëmendjen tek këto kërkesa, si vullnet politik i njëtrajtshëm kundrejt palës qeverisëse dhe Ministrisë së Arsimit” .
Ndërsa për Flogerta Krypin, organizatoren e protestës studentore për të rinjtë që ndodhen jashtë Shqipërisë, është shprehur se “Nga studentët shqiptar në Gjermani por edhe më gjerë, është pritur shumë pozitivisht thirrja për të mbështetur kauzën, për faktin e vetëm se edhe ata kanë qënë studentë në Shqipëri dhe e kanë vuajtur sistemin arsimor. Gjëja më e bukur është që kjo protestë nuk u mbështet vetëm nga studentët shqiptarë që jetojnë në Gjermani, por edhe nga studentë të tjerë që jetojnë në Rusi, në Kinë, në Itali, në Francë, në Arabinë Saudite, në Turqi, etj… të cilët kanë bërë video dhe i kanë postuar të gjithë në rrjet, duke ngjallur shpresë edhe për ata që janë në Tiranë” .
Sakaq, studentja Bora Mema u shpreh se nëse kërkesat s’pranohen, protestat dhe bojkoti i Universiteteve do vijojë.
Prej 13 ditësh sot, studentët qëndrojnë të palëkundur nga 8 kërkesat e tyre që kërkojnë t’I plotësohen nga qeveria, pasi vetëm në atë moment kanë për tu kthyer në shkollë dhe do të lejojnë që mësimi të vazhdojë normalisht.