Presidenti Meta ‘denoncon’ përpjekjet për blerje votash nga maxhoranca… harron kohën kur LSI ishte projektuesja
Presidenti Ilir Meta, ka ngritur sot përmes rrjeteve sociale shqetësimin sipas tij, të përpjekjeve për të blerë vota në zgjedhjet e prillit 2021.
Sipas Metës, situatën e vështirë ekonomike në vend, po shënon një regres të pandalshëm dhe kjo do të bëhet shkak edhe për shit-blerjen e votave.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, kreu i shtetit, thekson se, kjo situatë është për shkak të planifikimeve për të kapur vota me anë të presioneve.
Teksa i referohet një shkrimi të ekonomistit Arben Malajt, Meta thotë se, përshkallëzimi i krizës politike shton pasigurinë për qytetarët, sipërmarrjen dhe investitorët.
“Kur ethet elektorale dhe planifikimet e çmendura për kapje votash me presione nga më të fëlliqurat kanë nisur para kohe, situata ekonomike në vend po shënon një regres të pandalshëm.
Përshkallëzimi i krizës politike në këto kushte bëhet edhe më kërcënues për stabilitetin e vendit dhe shton pasigurinë për qytetarët, sipërmarrjen dhe investitorët.
Ndaj i mbështes plotësisht vlerësimet dhe rekomandimet e Prof. Dr. Arben Malaj për rrugën e duhur që duhet ndjekur për daljen nga humnera”,- shkruan Presidenti Meta ndër të tjera në postimin e tij në “Facebook”.
Por Presidenti Meta sot në krye të shtetit ka harruar Ilirin dje në krye të LSI-së, i cili së bashku me të shoqen, Miniska Kryemadhi, sot kryetare e partisë të lënë nga bashkëshorti, u akuzuan si nga PD-ja ashtu dhe nga PS-ja si një “bandë” politike, që ka kryer vjedhje dhe blerje votash.
Edhe pse sot në opozitë, njerëzit e LSI-së u kapën edhe në vitin 2017, duke blerë vota.
Në jo pak raste zyrtarët dhe drejtues të LSI-së janë akuzuar në zgjedhjet e kaluara për shit-blerje votash, ku retorika e akuzave ka shkuar deri te krerët e kësaj force.
Madje në jo pak raste nuk kanë munguar deri edhe incidentet fizike ku sërish protagonistë kanë mbetur eksponentë të LSI-së.
Por jo vetëm LSI-ja, pasi për vjedhje votash janë akuzuar me prova dhe fakte edhe zyrtarët e PS-së, të cilët dolën dhe në përgjimet e publikuara nga “BILD”, “Zëri i Amerikës” dhe media të tjera ndërkombëtare.
Së bashku me Kryemadhin e Metën, më i rrezikuari në radhët e PS është kryebashkiaku i Durrësit, Vagjush Dako, si dhe shumë zyrtarë të tjerë të përmendur në përgjime për shit-blerje votash si ish-ministri socialist Damian Gjiknuri në zonën e Dibrës.
Aktualisht në Prokurori dhe SPAK, janë disa dosje të famshme që ende nuk kanë nisur të zbardhen, pikërisht mbi blerjen e votave në zgjedhjet e kaluara, palë e përfshirë në të cilat është edhe LSI-ja, deri dje e drejtuar nga Ilir Meta.
/GazetaReforma.com/