Përplasi për vdekje 7-vjeçarin, nga burgu kaloi në shtëpi/ Petri Bozo kërkoi sërish zbutje mase për të shkuar në “Miss Globe” në Tajlandë

Vetëm pak javë pasi Gazeta Reforma ngriti pikëpyetje mbi zbutjen e masës së sigurisë ndaj Petri Bozos, producenti ka kërkuar një tjetër lehtësim nga drejtësia. Ai kërkoi kalimin nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”, me argumentin se duhej të udhëtonte në Tajlandë për të marrë pjesë në eventin “Miss Globe”.
Në Gjykatën e Elbasanit, Bozo dorëzoi disa ftesa, sipas të cilave nga 24 tetori deri më 6 nëntor duhej të ishte i pranishëm në aktivitet. Gjyqtarja Suela Lika e rrëzoi kërkesën, duke vlerësuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat për ndryshimin e masës së sigurisë.
Çështja ndaj producentit nisi pas aksidentit të rëndë të 25 majit në aksin nacional Elbasan-Librazhd, ku ai përplasi për vdekje një fëmijë 7 vjeç. I mituri po kalonte rrugën së bashku me nënën e tij, pasi kishin shoqëruar motrën në shkollë. Pas ngjarjes, Bozo deklaroi në polici se nuk e kishte vënë re fëmijën dhe se po lëvizte me shpejtësi të ulët.
Më 28 maj, Gjykata e Elbasanit caktoi ndaj tij masën “arrest me burg”. Bozo kërkoi zbutjen e saj, por Apeli fillimisht vendosi ta linte në qeli.
Kthesa erdhi më 15 gusht, kur masa u ndryshua në “arrest shtëpie”. Gazeta Reforma ngriti atëherë pikëpyetje mbi këtë vendim dhe mbi rrethanat që kishin ndryshuar në dosje, pasi vetëm pak kohë më parë i njëjti Apel kishte vendosur që Bozo të qëndronte në burg.
Këtë herë, Gjykata e Elbasanit nuk pranoi një lehtësim të mëtejshëm dhe la në fuqi “arrestin shtëpiak”.