Pas aksidentit të frikshëm, Mira Kazhani i përgjigjet publikisht Sali Berishës dhe kësaj radhe nuk është vetëm!

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Disa ditë më parë gazetarja e mirënjohur Mira Kazhani u përfshi në një aksident në autostradën Tiranë-Durrës, ku mbeti i plagosur 17-vjeçari Nertil Pëllumbi.

Ky i fundit raportohet se është hedhur përpara makinës së gazetares, në tentativë për të kapërcyer rrugën.

Reagimet kanë qenë të shumta, ndërkohë ditën e sotme Mira Kazhani ka vendosur që të japë një përgjigje dhe një sqarim të detajuar për gjithçka çfarë ndodhi, duke iu drejtuar veçanërisht ish-kryeministrit Sali Berisha i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook së fundmi ka hedhur akuza ndaj gazetares.

Ja reagimi i plotë i Mirës për “tiranapost.al”:

“Këtë javë të afërmit dhe miqtë janë munduar të më ruajnë nga çdo fjalë që mund të më lëndonte, po aq sa aksidenti në të cilin u përfshiva. Por sot dështuan të më fshihnin helmin tënd.

Sali Berisha, unë jam Mira Kazhani. Jam fëmijë i dy prindërve që kanë punuar me nder dhe s’kanë asgjë për të fshehur për fëmijën e tyre, flenë të qetë në darkë për mua. Para një jave jam përfshirë, edhe pse pa faj, në një ngjarje tronditëse, ku një i ri u hodh me vrap në autostradë, para makinës time, në tentativë për të kapërcyer rrugën.

Nëse nuk u beson policëve, pyet Zenin që ka makinë, dhe do të të thotë se në autostradë përparësi ka makina e jo këmbësori, që rrezikon jetën e tij e të të tjerëve dhe vetëm Zoti mund ta shpëtojë.

Ose lexo Kodin Rrugor dhe gjej aktekspertizën time, nëse Zeni është me pushime. E ke dhe me video nga momenti i aksidentit në komisariat, ku jam ndaluar e kam dhënë dëshminë. Unë nuk pi alkool. Nuk vë as gjoba me lekë a tekste.

Kundër teje kam qenë politikisht që në ‘97-ën, kur im vëlla u plagos nga një plumb qorr i bandave në mes të Burrelit. Nga ato armë që ti i nxore sheshit për të ruajtur veten, pa pyetur se kush po vritej, qoftë edhe aksidentalisht. Këtë javë kam menduar gjatë, por mbi të gjitha jam lutur që ai djalë të bëhet mirë. Aq sa kur më pyesnin nëse isha lënduar vetë, më dukej sikur s’më kuptonin. Unë jam lënduar, edhe pse pa faj.

Nuk ka njeri normal në timon që dëshiron të përfshihet në aksident. Askujt nuk i bëhet qejfi, veç në e paç emrin Sali Berisha, që nuk heq dorë duke nxirë e vrarë edhe të pafajshmit, vetëm për t’i dhënë një orë më shumë jetëgjatësi politikës tënde, që do veç kufoma ndër të shëndoshë e të lënduar.

Unë jam përfshirë pa faj fare, po fare, në një aksident automobilistik, por nuk kam vrarë si ti, 27 vetë në Gërdec, mes tyre fëmijë, dhe ta quaj këtë aksident teknologjik! Nertili ka pasur çdo ditë në spital shërbimin maksimal të mjekëve. Ka pasur tim atë e familjarët e mi, në mungesë të të tijve, që nuk po gjendeshin.

Dhe sot ka një shpjegim: Policia nuk arrinte dot ta identifikonte, pasi ishte një fëmijë fatkeq, i braktisur, i një familjeje me problemet e saj, të cilët as nuk e kanë regjistruar në gjendje civile. Shenjat e gishtërinjve të tij nuk ekzistonin.

E kuptoj që ty asgjë s’të bën përshtypje. Por unë kam veç veten e familjarët e mi për të kaluar këtë shqetësim që s’e shkaktova, por ndodhi. Ti mos u ndal. Përfshirja jote në sulm publik me gënjeshtra ndaj meje flet më shumë se çdo sulm politik. Mos i përzje gjërat kot. Ti po më sulmon si njeri, jo si gazetare.

Unë nuk u bëra gazetare me këtë qeveri. Kam qenë kur ti u ktheve në 2005-ën, edhe kur ike në 2013-ën, jam edhe sot. Unë bëj profesionin tim, pavarësisht se kush është në qeveri. Dhe sipas logjikës tënde, i bie që kam qenë gazetare edhe e oborrit tënd, kur të mbuloja mbledhjet e qeverisë. Gënjeshtra jote nuk është e vërteta e kësaj historie.

Si njeri, të kam lënë Zotin, edhe pse e shoh çdo ditë dorën e tij, teksa ti, lideri i pluralizmit, përfundove në një lolo. Do jetoj më gjatë se ty dhe do shkruaj gjithmonë sa i mjerë ishe.”

Përmes përshkrimit që sapo lexuat, Mira rrëfeu të vërtetën e saj dhe ajo çka na ka tërhequr vëmendjen të gjithëve mes gjithë kësaj çështjeje të zhurmshme dhe të shumëpërfolur është se shumë personazhe të njohur VIP kanë shprehur virtualisht mbështetjen ndaj gazetares përmes pëlqimeve dhe komenteve të shumta në rrjetet sociale.

Si shembuj ilustrues të parashtrimit të mësipërm, janë fotot e mëposhtme, që tregojnë më së miri përkrahjen e Kazhanit nga personazhe të njohur publikë…

Shpërndaje
Share.

Komento