Një protestë e madhe nuk është kurrë e pastër, e rregullt, e filtruar dhe e kuruar sipas shijes së secilit. Aty do ketë njerëz që nuk mendojnë njësoj, që nuk votojnë njësoj, që nuk flasin njësoj, që nuk mbajnë të njëjtat pankarta dhe nuk kanë të njëjtën histori politike.
Do ketë qytetarë pa parti, demokratë, socialistë të zhgënjyer, njerëz të majtë, të djathtë, aktivistë, emigrantë, të rinj, të moshuar, figura publike, ata që këndojnë e hedhin valle, njerëz që kanë qenë aty prej muajsh dhe njerëz që sapo janë zgjuar. Kjo është pikërisht arsyeja pse protesta bëhet e rrezikshme për pushtetin.
Nëse fillojmë të themi “këta jo”, “ata të ikin”, “ky grup nuk na duhet”, “ai fjalim nuk më pëlqeu”, “ajo pankartë më bezdisi”, në fund do mbetemi pak. Dhe pushteti nuk ka frikë nga një protestë perfekte me pak veta. Ka frikë nga një protestë e madhe, e gjerë dhe e pamundur për t’u kontrolluar.
Duhet të ketë vend për të gjithë ata që duan të njëjtën gjë: fundin e një sistemi që ka marrë peng vendin.
Mos e zvogëloni protestën duke kërkuar që të gjithë t’ju ngjajnë. Numrat kanë rëndësi. Bashkimi ka rëndësi. Perfeksioni nuk rrëzon pushtete. Masa po.







