Skip to content
Të Gjitha

Ndihma për bizneset/ Nga 1 prilli nisin aplikimet, ja kategoritë që përfitojnë 26 mijë lekë në muaj

· 2 min lexim

Që nga 1 prilli, mbi 60 mijë të punësuar në subjektet e biznesit me të ardhura deri në 14 milion lekë, do të përfitojnë pagën minimale nga qeveria prej 26 mijë lekësh.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha se që nga e hëna nisin aplikimet, shkruan ATSH.

Përfitues të ndihmës financiare prej 26.000 lekë në muaj, janë:

personat fizikë të vetëpunësuar;

punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;

të punësuarit në personat fizikë tregtarë;

të punësuarit në personat juridikë;

me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, sipas listëpagesave të deklaruara nga subjektet tatimpagues, të cilët duhet të kryejnë edhe aplikimin për të përfituar ndihmë financiare (shko këtu).

Individët e punësuar, që rezultojnë në më shumë se një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.

Të gjithë subjektet që përmbushin kushtet e mësipërme, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet llogarisë së tyre të deklarimit elektronik në e-fillin, kërkesën me të dhënat e përfituesve, ku përfshihen:

-Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NUIS

-Të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë të vetëpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe të punësuarit:

-emrin, atësinë, mbiemrin

-numrin personal të identifikimit të përfituesit

-bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare

-IBAN të llogarisë bankare të individit përfitues

Subjektet që do të plotësojnë kërkesën me të dhënat e individëve përfitues, duhet të sigurohen që të shënojnë saktë numrin personal të identifikimit ID dhe IBAN-in e llogarisë bankare.

Pas verifikimit brenda 10 ditëve të muajit pasardhës të të dhënave të dërguara nga aplikuesit nga Drejtoritë Rajonale, lista do të paraqitet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe në banzë të VKM-së nr.254 të datës 27.03.2020, do të nisë kyerja e pagesave për përfituesit.