Skip to content
Politikë

Ndaloi në mënyrë të jashtëligjshme një makinë, kandidati i PD-së në Dibër nën hetim

· 2 min lexim

Kandidati i PD-së në Dibër, Luan Haka dhe 4 simpatizantë të PD, po hetohen në gjendje të lirë, pasi ndaluan një makinë ku udhëtonte një punonjës e postës. Sipas policisë, punonjësja ishte me detyre shpërndarëse e pensioneve, por Partia Demokratike pretendon se do të shpërndaheshin para në këmbim të blerjes së votës.

Njoftimi i Policisë:

“Dibër

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit :

A.S., Gj. M., L. H., B. D., A. O., banues në Dibër, (simpatizanë të një subjekti politik).

Këta shtetas në mënyrë të kundraligjshme,  në fshatin Burim, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke ndaluar dhe kontrolluar një automjet , që udhëtonte shtetasja F. M,  punonjëse në Postën e Maqellarës, (me detyrë pagatore shpërndarëse e pensioneve) në Njësinë Administrative Maqellarë, me pretendimin se kjo shtetase po shpërndante para në këmbim të votave.

Nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar i grupit hetimor  dhe shërbimeve të Policisë në automjetin që udhëtonte shtetasja F. M., nuk u gjet asnjë send kompromentues në lidhje me procesin zgjedhor. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, shkruhej në njoftimin e Policisë.