Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova sot arriti ta shënojë këtë ditë të sotme në historinë e saj pasi ligji për të pasur një ushtri të veten, u miratua. Pas vështirësive të shumta, Kosova tani po arrin të marrë vendime për sigurinë dhe shërbimin e vendit.
Miratimi i këtij ligji kishte 106 vota pro dhe asnjë votë kundër. Në sallë morën pjesë të gjitha grupet parlamentare, përveç listës serbe.
Sakaq, forca të KFOR-it austriak, pas një kohe të gjatë, kanë shtuar tanke pranë urës kryesore që ndan Mitrovicën në dy pjesë.
Pozicionimi i tyre është bërë këtë të premte se parashikohej që kjo ditë të hynte në histori për Kosovën pasi do votohej në kuvend për transformimin e FSK-s në ushtri dhe ashtu ndodhi.
Tanket e KFOR-it austriak po qëndrojnë nga krahu jugor i urës, ndërsa në pjesën veriore, përveç policisë nuk vërehen ushtarë apo mjete të rënda të KFOR-it.
Veriu i qytetit është mbushur me flamuj të Serbisë, ndërsa në Jug valëviten gjithandej flamujt amerikanë. Theksojmë se SHBA e ka mbështetur prej kohësh miratimin e këtij ligji për shtetin e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës miratoi tre ligjet që bëjnë të mundur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Të tri këto ligje janë miratuar në parim gjatë muajit nëntor, më pastaj janë shqyrtuar nëpër komisione parlamentare dhe tani presin edhe miratimin final nga Kuvendi.