Policia e Tiranës ka proceduar penalisht një 16-vjeçar, banues në SHBA, i cili u shfaq në një video duke bërë thirrje për dhunë dhe nxitje urrejtjeje në rrjetet sociale. Sipas njoftimit të policisë, shtetasi në fjalë u identifikua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas publikimit të pamjeve filmike.
Në video, ai inkurajon përdorimin e armëve të ftohta nga fëmijët dhe nxit përdorimin e tyre në konflikte. Për këtë veprim, janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ku është filluar procedimi penal për veprën “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, sipas nenit 265 të Kodit Penal.
Policia ka theksuar se këto veprime janë të dënueshme dhe veprimi i 16-vjeçarit është shqyrtuar për të parandaluar përhapjen e mesazheve dhune në rrjetet sociale.