Skip to content
Kryesore

Masakra e Dobraçit/ AMP con në hetim disa efektive policorë

· 2 min lexim

Katër efektivë të Njësisë së Shqiponjave janë nën hetim pas masakrës së Dobracit, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Burimet bëjnë me dije se pas ngjarjes, një person i tretë dyshohet të ketë qenë në makinë me viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të cilët u vranë në një pritë me armë zjarri. Po ashtu, viktima të tjera nga rrethana të ngjashme ishin Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët u aksidentuan me motor gjatë kohës së atentatit.

Dyshohet se personi i tretë ka qenë ende në vendngjarje kur ndodhi vrasja dhe nuk u ndalua nga efektivët e Shqiponjave. Ky zhvillim vjen një ditë pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Shkodrës, e cila ia kaloi hetimet SPAK-ut.

Identifikimi i personit të tretë, i dyshuar të jetë Ibrahim Lici, mbetet sfida kryesore për prokurorët e Posaçëm.

Në makinën ku u vranë Lici dhe Bushati, u gjetën tre armë, ndër të cilat një prej tyre ishte në sediljen e pasme. Po ashtu, u zbuluan gjurmë gjaku në këtë sedilje, çka mendohet se personi i tretë mund të ketë qenë i plagosur.

Ky fakt ka çuar në kontrolle të klinikave private shëndetësore. Prokuroria po punon për të verifikuar dy pista kryesore për identifikimin e personit të tretë: shenjat e gishtave dhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat tregojnë një person që ndodhet afër vendit të krimit pak minuta pas masakrës.