Vendet anëtare të NATO-s nënshkruan sot në Bruksel protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën më të madhe ushtarake të globit.
Secili prej tyre ka firmosur veç e veç, ndërsa vendi i parë që nënshkroi ishte Republika e Shqipërisë, për shkak të rendit alfabetik.
Në mbledhjen e Këshillit, të zhvilluar në selinë e NATO-s në kryeqytetin belg, ka qenë i pranishëm edhe ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov.
Ishte zgjidhja e ngërçit 30-vjeçar mbi emrin me Greqinë, ajo që i hapi Maqedonisë së Veriut rrugën e anëtarësimit euroatlantik.
Për Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg, më 6 shkurt “shkruhet historia”.
Parlamenti grek e ratifikoi në fund të janarit “Marrëveshjen e Prespës”, që i dha fund konfliktit shumëvjeçar mes dy shteteve fqinje. Me këtë marrëveshje u pranua ndryshimi i emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Shkupi pranoi se gjuha maqedonase është pjesë e grupit të gjuhëve sllave dhe se identiteti nuk ka të përbashkëta me maqedonasit e lashtë.
Protokolli duhet ratifikuar më pas nga vendet anëtare, duke nisur nga Greqia, e para që do ta hedhë në votim. Ratifikimi në Parlamentin grek, për Nikola Dimitrovin është punë e kryer.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti konsideron nga ana tjetër se çështja e inkuadrimit në NATO ka marrë tashmë formë, e nga ky moment, forcat sipas tij duhen përqëndruar te bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Që të votohet protokolli janë të nevojshme 151 vota, ndërsa pritet që të gjithë deputetët që votuan për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës të përkrahin edhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Ndërkohë të shumtë ishin liderët që përshëndetën vendimin.
Kreu i Shtetit Ilir Meta ka përshëndetur nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Meta e konsideron nënshkrimin e protokollit si vendimin e duhur në të marrë në kohën e duhur.
“Një mesazh i fortë strategjik për fqinjët tanë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Prej ditës së sotme rajoni ka fituar më shumë siguri, stabilitet dhe paqe.” ka shkruar ministrja Xhacka në facebook.
“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është një ngjarje e madhe për rajonin tonë. Zgjerimi i NATO-s në Ballkan është një kontribut përcaktues për sigurinë, paqen dhe vlerat e demokracisë.” -shprehet Basha