Skip to content
Të Gjitha

“Live” nga Kuvendi në rrjetet sociale, Balla zbulon qëllimin e opozitës

· 2 min lexim

Ditën e sotme seanca plenare është shoqëruar me tensione të shumta pasi kreu i PD-së Sali Berisha dhe disa nga deputetët e opozitës kanë zgjedhur ta pasqyrojnë fjalën e tyre “live’  në Facebook teksa mikrofoni i foltores u fik për tejkalim minutash të parapërcaktuara.  Ndërkohë që ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në lidhje me të gjithë situatën e krijuar.

Ai ka akuzuar Sali Berishën dhe Ilir Metën se po tentojnë të pengojnë punën e Kuvendit.   Teksa i cilësoi njërin si “non grata” dhe tjetërin si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, Balla tha se ajo që u pa sot në Kuvend, ishte një kthim pas në shumë vite. Teksa komentonte bllokimin e foltores nga deputetët e Berishës më herët gjatë ditës, Balla tha se bëhet fjalë për një sjellje që tenton të pengojë edhe integrimin.

“Konflikti i brendshëm i partisë më të madhe në opozitë ka ndikuar në jetën parlamentare të Shqipërisë. Progres raporti i KE për 2022. Ajo që pamë ishte si një rikthim i shumë viteve më parë. E njëjta njollë e zezë e Shqipërisë, u mundua të marrë peng Kuvendin e Shqipërisë. Vijoj ta them sa herë të më jepet mundësia, është në turpin e Kuvendit të Shqipërisë, që një nongratë me një bashkëpunëtor të Sigurimit të mundohen të pengojnë punën e Kuvendit.  Përpjekja për të bllokuar foltoren, është sjellja për të penguar integrimin”, deklaroi në fjalën e tij Balla.