Skip to content
Kryesore

Laboratori i drogës në Fushë-Krujë, nesër seanca për 10 të arrestuarit

· 1 min lexim

Të dhjetë personat e arrestuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal do të dalin nesër para gjykatës pas një hetimi njëvjeçar të SPAK.

Ata akuzohen për krijimin e infrastrukturës për përpunimin e një ngarkese të madhe kokaine, të importuar nga Amerika Latine.

SPAK deklaron se ka sekuestruar 48 tonë lëkurë të kriposura, brenda të cilave ishte tretur kokaina, dhe 6 kilogramë kokainë të pastër, së bashku me përzierës.

Në hetimin e drejtuar nga prokurori Adnan Xholi morën pjesë edhe agjenci të huaja, përfshirë DEA-n.

Grupi përbëhej nga individë me role të qarta, si financues, transportues dhe përpunues, ndërsa 3 shtetas të huaj (një kolumbian dhe dy venezuelas) ishin përgjegjës për nxjerrjen e drogës nga lëkurat.

Operacioni përfshiu sekuestrimin e 57 milionë peso kolumbianë dhe 36 mijë euro.

SPAK e vlerëson këtë rrjet kriminal si të një organizimi të avancuar, me plane për shpërndarjen e drogës në Evropë përmes teknologjive të specializuara.

Transporti dhe magazinimi i drogës ishin organizuar afër pikave strategjike, si aeroporti dhe porti i Durrësit, për lehtësimin e trafikut ndërkombëtar.