Skip to content
Bota

Kuvendi i Kosovës në bllokadë, sot tentativa e 11-të për konstituim

· 2 min lexim

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot në përpjekjen e 11-të për të konstituuar legjislaturën e nëntë.

Seanca është planifikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa procesi vijon të jetë i paralizuar që prej mbledhjes së parë më 15 prill.

Deri më tani, deputetët kanë arritur të miratojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës: raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe dhënien e betimit.

Çështja që vazhdon të pengojë konstituimin është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka propozuar deputeten Albulena Haxhiu për këtë post, por ajo nuk ka arritur të sigurojë shumicën e votave në gjashtë seanca të mbajtura për këtë çështje.

Partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe  kanë kundërshtuar emrin e saj, duke e cilësuar të papranueshëm.

Në seancën e fundit, refuzimi i këtyre partive për të propozuar një përfaqësues që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë bllokoi sërish procesin.

Kryesuesi Avni Dehari u detyrua të ndërpresë seancën, duke shtyrë edhe më tej formimin e institucioneve të reja.

Sot pritet të shihet nëse partitë do të arrijnë ndonjë kompromis, apo nëse bllokada do të vazhdojë edhe përtej tentativës së 11-të.