Skip to content
Të Gjitha

“Kujdes po ju ndjekin”, operacioni i kokainës u dekonspirua nga një telefonatë e fshehtë

· 2 min lexim

Një aksion i nisur që në Greqi është finalizuar në portin e Durrësit, me sekuestrimin e 173 kg kokainë të nisur nga Ekuadori.

Droga fillimisht kishte mbërritur në portin e Pireut, ku autoritetet greke ishin njoftuar nga DEA për ngarkesën.

Sapo morën sinjalizimin autoritetet helene ndërruan kokainën me oriz, ndërsa i vendosën edhe GPS.

Më 17 shtator droga ka mbërritur në portin e Durrësit, shkruan “Mapo”.

Biznesmeni i cili dyshohet si personi kyç në trafik, Gentian Malindi, dërgoi fshehurazi për të marrë drogën, punëtorin e anijes së tij Altin Myslihakën dhe oficerin e sigurisë në port, Ardian Begën.

Malindi i priste në makinë, ku më pas të tre u nisën drejt “Shkëmbit të Kavajës”.

Dyshohet se Malindi ka marrë një telefonatë , e cila ka dekonspiruar të gjithë aksionin.

Personi që e ka telefonuar mendohet se i ka thënë Malindit: “Kujdes, po ju ndjekin”.

Pasi mori telefonatën, biznesmeni kontrollon ngarkesën dhe përballet me surprizën e pakëndshme.

Në këtë moment ai urdhëron dy të tjerët të mos flasin, pasi janë duke u përgjuar dhe më pas arratiset.

Sasia e kokainës ka ardhur nga Greqia me procesverbal, çka do të thotë se autoritetet helene ia kanë dorëzuar palës shqiptare.

Kësisoj lind pyetja, se kush është personi që dekonspiron aksionet e policisë.

Kujtojmë se pak kohë më parë në portin e Durrësit u sekuestruan 613 kg kokainë, për të cilat u arrestua biznesmeni “Arbër Çekaj”, dhe punëtorët e kompanisë, por porositësi i vërtetë ende nuk dihet.