Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Rama e nisi me një urim për të gjithë socialistët duke i uruar për një vit të ri të gëzuar dhe plot shëndet e mbarësi.
Sipas tij, takimi i sotëm është i pazakontë në një kohë të pazakontë të vitit.
Ai u shpreh se protesta e studentëve ishte një mundësi e një reagimi kuptimplotë dhe sa ata drejtohen te PS-ja pasi aty është mundësia e vetme për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
“Uroj që të gjithë ju së bashku me të gjithë anëtarët e familjes sonë të madhe politike të keni një vit të ri të gëzuar me shëndet e mbarësi në familjet tuaja! Ky është një takim i pazakontë, në një kohë të pazakontë të vitit për mbledhje partie, në një moment të pazakontë për këtë familje e cila ka përgjegjësinë të kujdeset për shtëpinë e madhe të shqiptarëve, Shqipërinë. Por e pazakontë është edhe mundësia që na ka dhënë në këtë fund vitit protesta e studentëve. Një mundësi e mirëseardhur në formën e një reagimi shumë kuptimplotë, në emër të një jete më të mirë universitare dhe në emër të besimit tek unë, tek ne.
Përtej kushteve, indiferencës ndaj politikës, edhe kur çirreshin para fytyrës sime turp-turp, ata shihnin dhe shohin në drejtimin tonë sepse jemi për ta mundësia e vetme për ta. Ata na dhanë një shuplakë që mua më përvëlon si ditën e parë dhe unë zgjodha të kthej faqen tjetër”, tha Rama.