Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, përmes një deklarate për mediat ka ofruar një zgjidhje për studentët të cilët protestojnë prej ditësh për plotësimin e kërkesave të tyre. Ajo kërkoi që t’i jepet zgjidhja që ata duan dhe tha që LSI do depozitojë në Kuvend dy amandamente për të zgjidhur kërkesat e tyre. Kryemadhi i bën thirrje Kuvendit që t’i kalojë me urgjencë që nesër sepse sipas saj vetëm kjo është mënyra që të shlyhet mëkati i politikës.
Kryetarja thotë se zgjidhja e problemit të studentëve është emergjenca kryesore dhe për këtë arsye kërkon plotësimin e kërkesave të tyre, të cilat i konsideron minimale.
“Amendamenti për ligjin e buxhetin e vitit 2019 zgjidh kërkesat numër 1, 4, 5, 6 dhe 7 te paraqitura nga studentet. Amendamenti i ligjit për arsimin zgjidh kërkesat e studenteve 2 dhe 3. Shqiptarët jane të rrënuar nga mjerimi, të përkulur nga kjo situate. Gjendja është kritike, mijëra studente po përballen me mjerimin dhe arrogancën e qeverisë. Zgjidhja e problemeve është emergjenca kryesore. Mesazhi është një: plotësimi i 8 kërkesave të tyre. Kërkesat e tyre janë minimale.
Kostoja e tete kërkesave minimale per Ramen është inekzistente, cdo arrogance e tij, është e vetmja zgjidhje qe ai kërkon te shtype këta te rinj, por propozimet LSI jane e vetmja mundësi për te zgjidhur kushtet dhe kërkesat minimale qe studentët kane prej 8 ditësh qe i kërkojnë para MAS. I bëjmë thirrje Kuvendit t’i kaloje me urgjence ne seancën e nesërme, pasi është e vetmja mënyrë te shlyejmë mëkatin e politikes, për te dale nga ky ngërç i tmerrshëm, qe te hapet rruga për krijimin e një strategjie afatgjate”- tha Kryemadhi.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama, nuk ka lënë pa e komentuar këtë deklaratë të Kryemadhit, e cila kërkoi votimin e amendamenteve të LSI-së me urgjencë.
Ai ka reaguar përmes një postimi në rrjetin e tij social, në Twitter duke thënë me ironi se Doktoresha e Shkencave nuk ka fjetur gjumë mbrëmë, por ka menduar gjithë natën për studentët e shkretë. Kryeministri nuk ka lënë rastin t’i iki pa ironizuar edhe Lulzim Bashën, duke e krahasuar Monika Kryemadhin me të, pasi sipas Ramës, “Lul Artisti” u la porosi qytetarëve para se të flinte gjumë, që t’u çonin ushqime dhe batanije protestuesve. Ndërsa Monika ka menduar gjithë natën për zgjidhjen e saj shkencore.
“Doktoresha e Shkencave, Monika Kryemadhi, s’paska fjetur mbrëmë si Lul Artisti (që para se t’ia fuste gjumit u la porosi qytetarëve,t’u çonin ushqime e batanije protestuesve)!Ajo e paska gdhirë duke menduar për të shkretët studentë në të ftohtë dhe ka gjetur zgjidhjen shkencore.”- shkruan Rama.