Skip to content
Kryesore

Kosova me qeveri të re/ Albin Kurti rizgjidhet kryeministër, merr 62 vota në Kuvend

· 2 min lexim

Albin Kurti është rizgjedhur kryeministër i Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka votuar qeverinë e re, duke i dhënë Kurtit një tjetër mandat në krye të ekzekutivit të vendit.

Qeveria e re mori 62 vota pro, 8 kundër dhe asnjë abstenim, pas prezantimit nga Kurti të programit qeverisës dhe përbërjes së kabinetit të ri.

Në qeverinë e prezantuar nga Kurti, Glauk Konjufca merr postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa Donika Gërvalla emërohet zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë. Fikrim Damka do të jetë zëvendëskryeministër i tretë për çështjet e pakicave dhe bashkëpunimin.

Hekuran Murati do të drejtojë Ministrinë e Financave, Andin Hoti Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Ejup Maqedonci Ministrinë e Mbrojtjes dhe Xhelal Sveçla Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Lulëzon Jagxhiu emërohet ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Arben Vitia ministër i Shëndetësisë dhe Hajrulla Çeku ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Pjesë e kabinetit janë gjithashtu Saranda Bogujevci, ministre e Kulturës dhe Turizmit; Blerim Gashani, ministër i Sportit dhe Rinisë; Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal; Fitore Pacolli, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; si dhe Armend Muja, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Dimal Basha merr drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Mimoza Kusari emërohet ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ndërsa Artane Rizvanolli ministre e Ekonomisë.

Kabinetin e ri e plotësojnë Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim, dhe Rasim Demiri, ministër për Zhvillim Rajonal.

Votimi i sotëm në Kuvend i jep fund procesit për formimin e ekzekutivit të ri: Kosova ka tashmë qeverinë e re dhe Albin Kurti konfirmohet sërish në postin e kryeministrit me 62 votat e deputetëve.