Skip to content
Kryesore

Kosova kërkon arrestimin e Jozit pas videos me Edi Kuçin, Shqipëria hesht: “Jemi aktorë, e kemi bërë vetë”

· 3 min lexim

Pamjet e dhunshme mes Jozefin Markut dhe Edi Kuçit kanë kaluar tashmë nga rrjetet sociale në një çështje penale në Kosovë. Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast ndaj këngëtarit shqiptar dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprime ndaj tij, ndërsa në Shqipëri, deri më tani, nuk është bërë publik asnjë reagim apo veprim nga autoritetet.

Rasti lidhet me videon e publikuar në rrjet, ku shfaqet incidenti mes Jozefin Markut, i njohur si Jozi, dhe Edi Kuçit. Pas publikimit të pamjeve, autoritetet në Kosovë kanë vepruar me vetiniciativë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se ndaj Markut është hapur rast penal për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës E.K. Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit dhe vendosjen në stop-listë të të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij”, ka deklaruar Nikçi.

Sipas Prokurorisë, procedura mbështetet në dispozitat e Kodit Penal të Kosovës dhe konkretisht në nenin 109, i cili parashikon zbatimin e tij edhe ndaj shtetasve të huaj për vepra penale të kryera jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të saj.

Pra, ndërsa në Kosovë çështja ka vënë në lëvizje Prokurorinë dhe Policinë, në Shqipëri tabloja është krejt tjetër. Edhe pse videoja është publike dhe është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, deri në këtë moment nuk është bërë i ditur ndonjë reagim zyrtar apo veprim konkret i autoriteteve shqiptare lidhur me ngjarjen.

Vetë Jozefin Marku ka reaguar duke dhënë një version krejt tjetër për atë që shihet në pamje. Në një deklaratë për Top Channel, ai është shprehur:

“Asgjë s’ka ndodhur. Jemi aktorë, e kemi bërë vetë”.

Jozi ka mohuar gjithashtu informacionet për veprimet e Prokurorisë së Pejës, duke i cilësuar ato “fake”.

“Lajmet për urdhër-arrest janë fake, nuk janë arsye të jem atje.”

Megjithatë, hapja e rastit penal dhe autorizimi i Policisë së Kosovës janë konfirmuar publikisht nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë.

Tashmë u takon organeve kompetente të përcaktojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe nëse pamjet dokumentojnë një sulm real apo, siç pretendon Jozi, bëhet fjalë për një skenë të inskenuar. Deri atëherë, kontrasti mbetet i dukshëm: në Kosovë është hapur procedurë penale dhe janë urdhëruar veprime ndaj këngëtarit shqiptar, ndërsa nga autoritetet në Shqipëri nuk është bërë publik asnjë reagim.