Mëngjesin e sotëm një tërmet me magnitude 4.8, goditi Siҫilinë në orën 03:18 në pjesën e vullkanit Etna, që cilësohet si më aktivi në Europë.
Mediat italiane bëjnë me dije se 28 persona kanë pësuar lëndime të ndryshme dhe banorët e tjerë të asaj zone, janë lajmëruar që të largohen sa më shpejt nga aty.
Njerëzit janë përfshirë nga paniku dhe kanë vrapuar nëpër rrugë. Ndërkohë disa ndërtesa u dëmtuan nga lëkundja e fundit që kur Etna shpërthehu të hënën.
Sakaq, hiri vullkanik kishte mbuluar fshatrat pranë dhe gjithashtu edhe fluturimet nga aeroporti i Katanias u ndaluan.
Përmes një statusi në Twitter, Ministrja e Mbrojtjes, Elisabetta Trenta tha: “Gati të ndihmojmë e të mbështesim popullsinë në këtë moment emergjence.”
Mësohet se shumica e personave të dëmtuar nga tërmeti, kanë marrë lëndime të lehta por ka edhe persona që janë në gjendje shoku gjithashtu edhe në gjendje ankthi.
Lëvizja hekurudhore në linjat Messina-Siracusa dhe Catania-Palermo është pezulluar për 5 orë.
Gjithashtu, ‘Facebook’ ka aktivizuar kontrollin e sigurisë për shkak të tërmetit, i cili do të lejojë përdoruesin të raportojë nëse do jetë në rrezik ose nëse do jetë i sigurtë.
“Nëse jeni të sigurt, zgjidhni vetëm opsionin ‘Unë jam i sigurt’ dhe statusi do të përditësohet me një njoftim: në këtë mënyrë miqtë dhe të afërmit do të dinë në kohë reale se jeni të sigurt. Nëse keni miq në zonë dhe mjeti është aktivizuar, do të njoftoheni për të gjithë ata që janë shënuar si të sigurt.”- kjo do jetë mënyra e kontrollit të sigurisë nga rrjeti social Facebook për ҫdo rast tjetër.