Skip to content
Të Gjitha

Kanë dalë jashtë kontrollit të shtetit, PPP-të një gangrenë për buxhetin

· 2 min lexim

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në raportin e fundit, probleme të shumta me koncesionet,  fakt që ngre problemin e cilësisë së përgatitjes së kontratës dhe indikatorëve të matshëm mbi monitorimin e shërbimeve.

Gjithashtu monitorimi i tyre rezulton jashtë kontrollit të shtetit.

Si rregull pagesat vjetore për koncesionet nuk duhet të kalojë 5% të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës buxhetor.

Mirëpo KLSH ka vënë re se kufiri prej 5% të të ardhurave tatimore, nuk është respektuar, shkruan “Monitor”.

Raporti ka konstatuar disa anomali, të cilat përfshijnë mungesën e kuantifikimit të flukseve dalëse të Buxhetit të Shtetit, për përballimin e risqeve të marra nga sektori publik.

Gjithashtu kërkohet vëmendje maksimale mbi normën e rritjes së të ardhurave, për efekt të respektimit të kufirit të 5%, gjatë periudhave koncesionare të kontraktuara.

KLSH ka vënë re se 15 kontratat koncesionare të fundit, kanë ndikuar në borxhin publik.

Deri në vitin 2032, nga buxheti i shtetit do të dalin 2 miliardë euro për koncesione, para që do të mblidhen nga taksat e qytetarëve.

Pas këtij viti i vetmi koncesion që do të vazhdojë të paguhet nga buxheti i shtetit, do të jetë ai i inceneratorit të Tiranës, me 1.5 miliard lek, deri në 2041.

Rreth 60% të kontratave koncesionare e zënë 4 rrugët Thumanë – Vorë, Orikum – Dukat, Milot – Balldren dhe Rruga e Arbrit.