Skip to content
Kryesore

“Ka humbur SPAK-u”/ Dita e 9-të pa kërkesën për arrestimin e Ballukut, Bardhi: Të zbatojë ligjin, jo të presë Ramën të zgjidhë hallet politike

· 2 min lexim

Gazment Bardhi rikthehet për të nëntën ditë radhazi te çështja e Belinda Ballukut, duke vënë në shënjestër SPAK-un për mungesën e një kërkese të re në Kuvend për heqjen e imunitetit që do t’i hapte rrugë arrestimit të saj.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së e nis reagimin me ironi ndaj Prokurorisë së Posaçme:

“Një lajm i keq. Ka humbur SPAK-u.

Dikush t’i kujtojë se ende nuk ka sjellë në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut, edhe pse vetë ka njoftuar sekuestrimin e një vile të dytë të fshehur dhe akuzat e reja për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Dikush t’i kujtojë edhe se detyra e SPAK është të zbatojë ligjin, jo të presë Edi Ramën sa të zgjidhë hallet e mëdha politike”, shkruan Bardhi.

Reagimi vjen pasi SPAK njoftoi akuza të reja ndaj Ballukut, ndërsa më 9 shtator iu sekuestrua edhe një vilë në Palasë, e cila figuronte në emër të ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, deri këtë të shtunë nuk ishte bërë publike një kërkesë e re e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Bardhi prej disa ditësh po e ngre publikisht këtë çështje, duke pretenduar se SPAK nuk duhet ta lidhë ritmin e veprimeve procedurale me zhvillimet apo llogaritë politike të kryeministrit Edi Rama. Një ditë më parë ai deklaroi se Prokuroria e Posaçme “nuk është mandatuar të presë Edi Ramën derisa të bindë Belinda Ballukun të dorëzojë mandatin”.