Skip to content
Kryesore

Jorgo Goro para gjykatës, miratohet kërkesa për gjykim të shkurtuar

· 2 min lexim

Më 27 janar, u zhvillua seanca gjyqësore për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste dhe “mosdeklarim të pasurisë”.

Gjatë seancës, Goro shprehu se i qëndron kërkesës për zhvillimin e gjykimit të shkurtuar, kërkesë të cilën e kishte bërë edhe në seancën paraprake.

Prokurori i çështjes, Ols Dado, theksoi se është provuar shpërdorimi i detyrës në dy episode, si dhe mosdeklarimi dhe fshehja e pasurisë nga ana e ish-kryebashkiakut.

Gjyqtari i çështjes, Ardit Mustafaj, pranoi kërkesën për procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Përveç Goros, gjykimi me procedurë të shkurtuar ka nisur edhe për ish-zyrtarët e tjerë të bashkisë, Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho. Ndërkohë, ish-kreu i Kadastrës Vlorë, Bilbil Aliaj, do të gjykohet me procedurë të zakonshme. Gjykata ka vendosur ndarjen e çështjes për Aliajn nga ajo e të akuzuarve të tjerë.

Gjykimi vazhdon me shqyrtimin e provave dhe dëgjimin e palëve për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore të të akuzuarve. Në seancën e ardhshme, e caktuar për 10 shkurt në orën 13:00, Prokuroria e Posaçme do të paraqesë pretencën për Jorgo Goron dhe të tjerët e përfshirë në këtë çështje.