Vlora mbetet një nga qytete me problematike sa i përket depozitimit dhe menaxhimit të mbetjeve, ashtu si edhe Orikumi apo zona të tjera në jug të vendit. Mbetjet digjen në periferi të qytetit, në një zonë, të populluar, teksa prej disa vitesh qeveria Rama ka premtuar ndërtimin e një landfilli në afërsi të fshatit Sherishtë, njësia administrative Kaninë, për menaxhimin e mbetjeve të bashkive Sarandë, Delvinë, Finiq, Himarë dhe Konispol.
Projekti është prezantuar 2 vite më parë në qytetin bregdetar, ku morën pjesë në një takim kryetarët e këtyre bashkive, si dhe përfaqësues të Bankës Gjermane KFW. Aso kohe qeveria tha se projekti do jetë me mbështetjen e veçantë të KFW-së, pas akordeve të rëndësishme që ka bërë qeveria shqiptare me atë gjermane.
Një ditë më parë Partia Demokratike doli me një deklaratë për shtyp ku akuzoi se kryeministri Edi Rama i ka dhënë landfillin e Vlorës Klodian Zotos. Selia blu tha se kryeministri Edi Rama ka marrë vendimin për ndërtimin e landfillit, duke theksuar se “përfitues është Klodian Zoto”.
“Gjithnjë pa garë dhe me skema kompanish offshore”, thotë PD, teksa publikon dokumentet e vendimit.
Mirëpo, në fakt tenderi është hapur nga KFW dhe nuk investohet asnjë lek nga buxheti i shtetit. Kjo gjë është pasqyruar dhe në faqen e Fondit Gjerman të Investimit menaxhuar nga Banka Gjermane. Agjencia për Zhvillim Ekonomik e Gjermanisë dhe Banka që lëvron fondet, KFW ka realizuar një tender ndërkombëtar për ndërtimin e Landfillit të mbetjeve në Vlorë.
Tenderi është menaxhuar nga KFW e cila ka nxjerrë dhe fituesit që janë dy shoqëri një shqiptare dhe një italiane, ITS dhe Burfalo. Banka gjermane mbështet dhe financon programe dhe projekte që përfshijnë kryesisht aktorë të sektorit publik në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim dhe një ndër to është landfilli i Vlorës.
Në fakt, rreth këtij ptojekti është ngritur një tjetër shqetësim nga arkeologët, që kanë kundërshtojnë këtë ndërtim, sepse sipas tyre, landfilli po ndërtohet mbi rrënoja arkeologjike. Arkeologu, Novruz Bajramaj disa ditë më parë ngriti shqetësimin për vendin ku do të ndërtohet ky impian gjigand, pasi në këtë vend gjenden mbetje arkeologjike mijëra vjeçare, të cilat tregojnë se në këtë zonë ka pas qytetërim të lashtë prehistorik.
Arkeologu Bajramaj kërkoi ndërhyrjen e institucioneve për të dërguar ekspedita dhe specialist për studimin e kësaj zone pasi në afërsi të saj gjendet fshati Kaninë i cili ka një histori 3 mijë vjeçare. Në këtë zonë ka mbi 30 objekte, monumet kulture. Gjithashtu Bajramaj shprehet, se në të gjithë territorin gjenden gjurmë që sipas analizave të bëra tregon se ky vend ka qenë i banuar 60 mijë vite përpara, një vazhdimësi jete dhe do të jetë një fatkeqësi që këto të gjurmë të groposen së bashku me mbeturinat. Shqetësimi është dërguar dhe Këshillit të Qarkut të Vlorës për rishikim e ndërtimit të landfillit