Skip to content
Të Gjitha

Gjykata merr vendimin për Klement Balilin. Ja me sa vite burg dënohet “Eskobari i Ballkanit”

· 2 min lexim

Ka përfunduar seanca e sotme gjyqësore në ngarkim të Klement Balilit, i etiketuar si “Eskobari i Ballkanit.”

Gjykata vendosi 14 vjet për akuzën e trafikut të drogës, 2.6 për akuzën e grupit kriminal, gjashte muaj për fshehje pasurie dhe pesë vjet për pastrim parash. Në total Klement Balili u dënua me 15 vite burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar Balili dënohet me 10 vjet burgim.

Më 8 prill Prokuroria kërkoi 18 vite burg në total për Balilin, por mesditën e sotme pasi u dëgjuan edhe pretendimet e mbrojtjes, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin me 15 vite burg për Klement Balilin, nga të cilat ky i fundit do të vuajë vetëm 10.

Seanca gjyqësore ndaj tij zgjati rreth dy orë. Avokati i tij, Theodhori Sollaku kërkoi rrëzimin e akuzave të Prokurorisë duke i cilësuar  si të pambështetura në prova. I pranishëm në seancën gjyqësore, Klement Balili nuk tha asnjë fjalë, ndërsa të pranishëm në Gjykatë ishin edhe familjarë si dhe përfaqësi nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Balili do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Klement Balili përfitoi nga gjykimi i shkurtuar. Ai u vetëdorëzua disa muaj më parë, pas 3 vitesh arrati.

Balili u shpall fajtor për akuzat ‘Trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim dhe moskdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë” “Pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.”