Miratimi i ligjit për krijimin e ushtrisë së Kosovës, ka sjell pakënaqësi për NATO-n.
Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ka reaguar pas këtij miratimi.
Ai ka shprehur se ndjen keqardhje që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve që i shkaktoi NATO-s. Stoltenberg tha se ky vendim nuk duhet të rris tensionet në rajon.
“Sot, institucionet në Kosovë kanë njoftuar miratimin e tre ligjeve që iniciojnë procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Më vjen keq që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Ndërkohë që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në parim një çështje që Kosova të vendosë, ne kemi bërë të qartë se ky veprim është i gabuar”, ka thënë Stoltenberg.
Ai ka vijuar më tej duke thënë që pas këtyre vendimeve, NATO duhet ta rishqyrtojë nivelin e angazhimit në lidhje me Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe shprehet se duhet angazhimi përmes KFOR-it për të siguruar stabilitetin në Ballkan.
“NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës. NATO mbetet e angazhuar përmes KFOR-it për një mjedis të sigurt dhe të sigurt në Kosovë dhe për stabilitetin në Ballkanin më të gjerë Perëndimor”, ka thënë ai.
Stoltenberg po ashtu ka bërë thirrje për paqe dhe të vazhdohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur mbështetjen për të dyja palët. Ai kërkon të ruhet qetësia dhe që vendimi i sotëm të mos rris tensionet në rajon, por të gjithë të përqëndrohen në parimin e reformave për dialog.
“Të gjitha palët duhet të sigurojnë që vendimi i sotëm nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë aktorët politikë përgjegjës në rajon duhet të përqendrohen në përparimin e reformave dhe në dialog. E përsëris thirrjen time për Prishtinën dhe Beogradin që të mbeten të qetë dhe të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të çojë në përshkallëzim. NATO vazhdon të mbështesë dialogun e sponsorizuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës si zgjidhja e vetme politike e qëndrueshme për rajonin”, ka thënë Stoltenberg.