Elbasan, Shqipëria bëhet pjesë e një shtegu malor europian

Për herë të parë, Shqipëria do të përfshihet zyrtarisht në një nga rrjetet më të rëndësishme të shtigjeve malore europiane.
Bëhet fjalë për shtegun ndërkombëtar E6, një rrugë e njohur për ecje në natyrë, e cila do të kalojë edhe në territorin shqiptar, duke hyrë nga zona e Shkodrës përmes kufirit me Malin e Zi.
Lajmi u bë publik gjatë një takimi të zhvilluar në Elbasan, ku morën pjesë Presidenti i Federatës Europiane të Hiking, Boris Micic, dhe kreu i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Artur Guni.
Micic theksoi rëndësinë e përfshirjes së Shqipërisë në këtë rrjet:
“Pas vendimit për zgjerimin e rrugëve europiane të hiking-ut në Ballkan, kemi përcaktuar që dy prej tyre – E6 dhe E12 – të kalojnë edhe në Shqipëri. Sivjet fokusi është tek rruga E6, dhe kilometrat e parë të këtij shtegu do të realizohen brenda vitit”.
Sipas Artur Gunit, E6 do të zhvillohet në tri drejtime hyrëse dhe dalëse: Shkodër, Qafë-Thana dhe Qafë-Bota.
Ai theksoi se ky shteg do të shndërrojë Shqipërinë në një nyje të rëndësishme për ecjen malore dhe eksplorimin e natyrës:
“Ky shteg do të sjellë turistë të cilët ecin, zbulojnë dhe ndalojnë në çdo qytet apo fshat që përshkon rruga. Është një mundësi reale për zhvillimin e zonave rurale dhe promovimin e potencialit turistik të vendit”.
Përfshirja në rrjetin E6 shihet si një nxitje e madhe për turizmin malor në Shqipëri, duke hapur rrugë të reja për vizitorët aventurierë dhe duke i dhënë vendit një pozicion të ri në hartën europiane të natyrës dhe sporteve të qëndrueshme.