Skip to content
Të Gjitha

Ekzekutimi i Jurgen Kurtit/ Policia dyshon për atentat mafioz, zbulohen dy pistat e hetimit që po ndiqen

· 2 min lexim

Ekzekutimi i tmerrshëm mbrëmjen e djeshme i Jurgën Kurtit është duke ngjallur ende polemikat e tij dhe kjo për shkak të mënyrës sesi ndodhi.

Jurgen Kurti, është qëlluar me armë zjarri në rrugën pranë banesës së tij, ndërkohë që autoritetet janë duke kryer hetimet e duhura për të zbuluar rrjedhën e ngjarjeve e njëkohësisht edhe arsyen që ka çuar deri në ekzekutimin e tij.

Në orët e para të mëngjesit të së martës, ekspertë të policisë shkencore kanë mbërritur në vendngjarje, për të parë nëse zona mbulohet me kamera sigurie, por duket se do të jetë shumë e vështirë që të rindërtohet me saktësi ngjarja.

Edhe pse grupi hetimor ka mundur të shikoja pamjet e disa kamerave të sigurisë, nuk ka mundur që të dallojë qartë se cili nga automjetet e vendosura në rresht ka qenë ai që ka qëlluar ndaj Kurtit.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, Jurgen Kurti ka marrë shumë plumba në trup, ndërsa në rrugën ‘Zef Jubani’ janë gjetur të paktën 15 gëzhoja dhe dyshimet që hidhen janë ato për një atentat i tipit mafioz. Autorët kishin monitoruar të gjitha lëvizjet e viktimës, duke pritur momentin më të përshtatshëm për ta qëlluar pas shpinë fare pranë shtëpisë së tij.

Grupi hetimor dyshon se Kurti u ekzekutua nga dera e pasme e një automjeti në lëvizje, i cili më pas mundi t’i shpëtojë ndjekjes së policisë i ndihmuar edhe nga errësira.

Sipas ABC Neës, dy janë pistat që po hetohen nga organi i akuzës. E para lidhet me atë të hakmarrjes. Ndërsa pista ku po përqendrohen më shumë hetuesit është ajo e prishjeve së pazareve të drogës. Për këtë arsye janë marrë në pyetje edhe miqtë e afërt të Kurtit.