Edhe një tjetër figurë e rëndësishme e gjyqësorit kalon Vetting-un. Bëhet fjalë për Prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Kosova, i cili është paraqutyr para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pa avokat.
Në seancën para KPK-së me trupë gjyqësore të kryesuar nga relatorja Xhensila Pine, është dhënë vendimi për hetimin e kryer mbi të tre kriteret e rivlerësimit.
Për kriterin e pasurisë, ILDKPKI ka dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin.
Kosova ka deklaruar pasuritë: apartament 93 metra katror, blere për 96 mijë dollarë amerikanë në vitin 1998. Ka një makinë në vlerën 11 mijë euro. Burimi për apartamentin, të ardhurat nga paga, nga puna si pedagog dhe shitja e një tjetër apartamenti në Korçë.
Prokurorit iu kalua barra e provës, për mungesën e të ardhurave në vitin 1998. Subjekti ka kërkuar edhe marrjen e disa dëshmive në lidhje më këtë problem. DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se prokurori ka plotësuar saktë formularin dhe nuk ka informacione se ka lidhje me persona të inkriminuar, duke konstatuar përshtatshmërinë në detyrë. Për aftësitë profesionale, komisioni ka analizuar raportin e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas raportit, ka rezultuar se prokurori kryen saktë detyrën e tij.
Prokurori Kosova ka thënë se: “Dy fëmijët e mi janë arsimuar dhe arsimohen në shkolla publike. Gruaja ime merr një pagë prej 45 mijë lekësh. Unë për herë të fundit kam dalë jashtë shtetit në vitin 2007. Pasaporta ime është bosh. Me gjithë dëshirën time unë nuk i përballoja dot shkollimin e fëmijëve jashtë shtetit. Të ardhurat e mija të ligjshme”.
KPK u shpreh se ka dy denoncime nga publiku për prokurorin Kosova me objekt denoncimi aftësitë profesionale.