Muzetë e Durrësit janë rihapur pas viteve të mbylljes nga tërmeti i nëntorit 2019, por dy institucionet kryesore të trashëgimisë kulturore ende nuk janë në formën e tyre të plotë. Muzeu Arkeologjik dhe Muzeu Etnografik u përuruan javën e kaluar, ndërsa qyteti përgatitet të presë turistët e sezonit veror me disa mungesa të rëndësishme.
Në Muzeun Arkeologjik ka nisur instalimi i mozaikut mbi 2.300-vjeçar, “Bukuroshja e Durrësit”, i cili për 45 vite qëndroi në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Mozaiku u zhvendos disa javë më parë drejt Durrësit nga i njëjti ekip specialistësh që e kishte transportuar në kryeqytet në vitin 1981.
Megjithatë, vendosja e tij nuk ishte pjesë e projektit fillestar të muzeut, të financuar nga programi EU4CULTURE i Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, mozaikut i është gjetur një hapësirë pranë portës dalëse të muzeut, pa ndjekur linjën kronologjike të ekspozimit.
“Bukuroshja e Durrësit” ka mbërritur në 14 pjesë dhe ende nuk është instaluar përfundimisht. Muzeut do t’i duhen edhe disa javë për ta plotësuar me këtë element simbolik, që konsiderohet mozaiku më i hershëm i zbuluar në Shqipëri.
Historia e tij nis në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore, kur forcat xheniere austriake vunë re shenjat e zajeve shumëngjyrëshe në dyshemenë e një vendstrehimi në qendër të Durrësit, pranë zonës ku më vonë u ndërtua teatri “Aleksandër Moisiu”. Zbulimi përfundimtar u bë në vitin 1959 nga arkeologu Vangjel Toçi, bazuar edhe në shënimet e arkeologut austriak Prashniker.
Mozaiku, me sipërfaqe 14 metra katrorë, ka formë eliptike dhe paraqet figurën qendrore të një gruaje, të rrethuar nga motive floreale.
Ndërkohë, Muzeu Etnografik i Durrësit ka hapur dyert me një ekspozitë prej 125 veprash të autorëve italianë, të dhuruara qytetit në vitin 2006, pak muaj pas ndarjes nga jeta të Ibrahim Kodrës.
Por edhe këtu mungesat janë të dukshme. Veprat janë prezantuar për herë të parë të gjitha së bashku, por pa katalog, pa biografitë e artistëve dhe pa informacionin përkatës për tablotë. Vizitorët nuk kanë të dhëna për autorët italianë që nderuan mjeshtrin shqiptar nga Ishmi.
Në Durrës mungon ende edhe galeria “Ibrahim Kodra”, një kërkesë e hershme e artistëve italianë drejtuar bashkisë, në nder të piktorit shqiptar që zhvilloi karrierën e tij në Itali, por ruajti lidhjet me atdheun.
Muzetë e restauruar të Durrësit kanë potencialin të rikthejnë peshën historike dhe artistike të qytetit 3.000-vjeçar, por për këtë duhet të plotësohen boshllëqet që ende mbeten të hapura.







