Skip to content
Aktualitet

Dosja e inceneratorëve, shpallet në kërkim Mirel Mërtiri

· 2 min lexim

Në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorëve është shpallur në kërkim edhe biznesmeni Mirel Mërtiri.  Mërtiri është pronari i kompanisë që ka në menaxhim inceneratorin e Tiranës.

Bëhet me  dije se Mërtiri është shpallur në kërkim pasi nuk është gjetur në banesë në momentin kur policia ka shkuar për të ekzekutuar urdhërarrestin e firmosur nga SPAK.

Më herët, u arrestua ish ministri i Mbrojtjes Lefter Koka për akuzat shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion.

I afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe me lidhje në të dyja krahët e politikës, Mirel Mërtiri qëndron në hijen e koncesioneve të mbetjeve në Shqipëri përmes një rrjeti kompanish .

Kujtojmë që  para një muaji deputeti demokrat, Belind Këllici  është shprehur lidhur hetimin e inceneratorëve, për të cilin opozita ka ngritur dhe Komisionin Hetimor.

“Bosi i inceneratorëve në panik. I kërkon bankave të mos japin informacion, por Komisioni Hetimor, në zbatim të ligjit, ka akses kudo! Frika që ka kapluar Mirel Mërtirin dhe ortakët e tij në politikë, biznes dhe media, i shtyn drejt absurdit, sic është kërkesa e paligjshme drejtuar bankave për të refuzuar dhënien e informacionit komisionit hetimor për incineratorët. Por, për fatin e mirë të interesit publik dhe fatkeqësisht për bosat e incineratorëve, ligji është shumë i qartë në këtë pikë.”-shkruante  Këllici.