Disa ditë më pare një grup prej 10 mjekësh dhe 20 infermierësh u nis drejt Italisë për tu ardhur në ndihmë kolegëve talianë që po kalojnë ditë të vështira, teksa mbi 60 prej tyre kanë humbur jetën dhe mijëra ta tjerë janë infektuar.
Mbërritja e tyre në shtetin fqinj shkaktoi një entuziazëm të madh, teksa fjalimi i kryeministrit Rama pushtoi mediat italiane.
Mjekët shqiptarë që mbërritën në Brescia për të luftuar me COVID-19 kanë një moshë mesatare rreth 27 vjeç dhe pasi iu nënshtruan provimit nga spitali, kanë nisur punën.
Së fundmi gazeta prestigjoze italiane ‘La Stampa’ ka intervistuar disa prej tyre, për të mësuar më shumë rreth përjetimeve të tyre, apo edhe rreth momentit kur u ndanë me familjarët.
Doina Jano
“Gjithmonë kam dashur ta vizitojë Italinë. Fati donte që për herë të parë ta vizitoja pikërisht tani, për të ndihmuar njerëzit dhe mjekët italianë. Kjo eksperiencë do të jetë për mua edhe një përvojë profesionale. Sigurisht që kemi frikë. Por ne jemi mjekë dhe kjo është detyra jonë. Çdo ditë të jetës sonë ne luftojmë kundër armiqve të padukshëm. Për ne gjithmonë është luftë. Edhe pse kam frikë dua të bëj më të mirën për popullin Italian.”
Alma Zelo
“Në momentin që nga Ministria e Shëndetësisë më pyetën nëse doja të isha pjesë e një ekipi mjekësh dhe infermierësh që do të vinin në Itali për të ndihmuar popullin italian, pa u menduar dy herë thashë Po sepse ne shqiptarët e duam Italinë. Në fillim i thashë vetëm bashkëshortit tim dhe jo prindërve sepse kisha merak se do të shqetësoheshin dhe nuk do më linin të vija. Ata nuk e dinin derisa shkova në aeroport. Megjithatë tani kam mbështetjen e tyre. Unë pres të jap më të mirën time. Për momentin bëj teste tamponi për të zbuluar rastet me Covid-19 duke shpresuar që të rezultojnë negative”.
Erxhyment Lofca
“Kur më propozuan të vija këtu mu desh ta mendoja për pak çaste. Nuk pranova menjëherë. Pastaj ndjeva që duhej ta bëja”.
Ornela Gela
“Unë kam studiuar në Itali, kam jetuar këtu dhe mendoj se kam lidhje më të forta me Italinë se të tjerët dhe sapo ma propozuan nxitova për të ardhur. Të dy prindërit e mi janë mjek dhe nuk e kundërshtuan vendimin tim. Iu thash qe do shkojë dhe se shpresoj se do të fitojmë dhe do të fitojmë. Le të shpresojmë. Pres të fitojë jeta, të fitojë njerëzimi dhe që Italia të shkojë përpara dhe të jetë më e bukur se më parë. Pasi të kemi fituar këtë luftë? Do pi një shishe verë. Kjo është e sigurt. Shpresojë të fitojmë sa më shpejtë të jetë e mundur. Unë mendoj se për të gjithë shqiptarët Italia është shtëpia e dytë. Si thotë edhe Nënë Tereza, ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha por mund të bëjmë gjëra të vogla me shumë dashuri.”