Për herë të parë në Shqipëri pritet që në QSUT të ofrohen terapi hormonale për personat transgjinorë, një zhvillim që ka hapur debat publik dhe ka sjellë reagime të forta.
E ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, aktivistja Marinela Pasbakhsh u shpreh kundër kësaj nisme, duke ngritur shqetësimin se një praktikë e tillë mund të sjellë pasoja të rënda, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët.
Pasbakhsh tha se shoqëria dhe prindërit nuk duhet të heshtin përballë kësaj çështjeje, ndërsa e cilësoi të papranueshme që një terapi e tillë të diskutohet në një vend ku, sipas saj, nuk ka financa as për të siguruar morfinë për pacientët në stadin e fundit të kancerit.
“Një gjë që s’duhet të heshtim dhe ta pranojmë është një gjë shumë e rëndë, pasi pasojat do t’i shkosh pas 5 vitesh, fëmija juaj në prag të adoleshencës do indoktrinohet në shkollë, e gjithë shoqëria do jetë duke punuar kundër rolit tënd si prind. Ti do humbasësh zërin që ke, dashurinë që ke. Ngrihuni dhe merreni shumë seriozisht, mos e pranoni këtë gjë, është e turpshme. Po flasim për një Shqipëri që s’ka financa për të financuar morfinën për pacientët në stadin e fundit të kancerit. Jemi duke folur ne tani, që miliona euro të shkojnë që të bëhet kasaphanë me fëmijët tanë. Ky është tmerr. Po ngrihuni prindër sepse do shikoni pasojat që janë në Amerikë. Të ndryshosh 14 vjeç të ndryshosh gjini, është tmerr. Këshillë nga zemra, mos e pranoni”, tha aktivistja.
Ajo u bëri thirrje prindërve që ta marrin seriozisht këtë debat dhe të mos e pranojnë këtë nismë, duke paralajmëruar se pasojat, sipas saj, mund të shihen në vitet në vijim.







