Pas shumë peripecive që drejtësia shqiptare ka përjetuar sidomos vitin e fundit, erdhi dhe momenti që situata të qetësohet. Sot, më 11 dhjetor 2018, është ngritur zyrtarisht Këshilli i Lartë i Prokurorisë, institucioni më i rëndësishëm ky në kuadër të reformës që është duke u ndërmarrë në drejtësi.
Edhe pse kishte zëra se mbledhja e sotme mund të bojkotohej, fatmirësisht ndodhi e kundërta dhe u bë e mundur zgjedhja e anëtarëve të Këshillit, gjë që do t’i jap drejtim edhe krijimit të Prokurorisë Speciale, një institucion që do të hetojë korrupsionin në nivele të lartë.
Emrat e përzgjedhur janë këta:
Nga Prokuroria e Përgjithshme u zgjodh Kosta Beluri.
Nga Prokurorët e Apeleve u zgjodhën Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi.
Prokurorët e shkëllëve të para u zgjodhën Antoneta Sevdari, Gentian Osmani dhe Besnik Cani, duke zënë kështu tri vende në Këshill.
Që nga ky moment posti i prokurorit të Përgjithshëm do të jetë honorifik, pasi njerëzit e akuzës do t’i japin llogari përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Pasi të konstituohet, një nga detyrat parësore, që Këshilli duhet të përmbushë është hapja e garës për prokuror të përgjithshëm, post që mbahet përkohësisht prej një viti nga Arta Marku.